Sa janë të përfshira nevojat e grave në pakon për rimëkëmbje ekonomike?

28.10.2020

Të marten me datë 27 tetor 2020, u mbajt salloni i radhës me temë: “Sa janë të përfshira nevojat e grave në pakon për rimëkëmbje ekonomike?”.

Për shkak të krizës ekonomike të shkaktuar nga COVID-19, Kuvendi  i Kosovës ka arritur ta kaloj leximin e parë të pakos për rimëkëmbje ekonomike. Kjo pako si shumë ligje, strategji dhe dokumente në Kosovë e ka të mangët perspektivën gjinore. Pozita socio-ekonomike e grave bën që ato të ndikohen më shumë prej krizave. Gratë fitojnë më pak sesa burrat, përballen me pasivitet ekonomik, ndërsa trashëgimia familjare vazhdon të mbetet me norma zakonore. 

Në diskutimin e panelisteve u potencua se pakoja për rimëkëmbje ekonomike është një projektligj që kryesisht u dedikohet bizneseve dhe se shumë pak adresohet interesi i përgjithshëm i qytetarëve të Republikës së Kosovës. Për gratë ndërmarrëse në Kosovë, përpos që mjedisi për të bërë biznes është kufizues, ato gjenden në disavantazh me burrat që udhëheqin biznese. Është e rëndësishme që grave ndërmarrëse të iu krijohet më shumë hapësirë dhe në të njëjtën kohë të iu ofrohet përkrahje institucionale në mënyrë që ato ta kenë më lehtë të mbajnë bizneset e tyre aktive.

Ndër të tjera, gjatë sallonit u potencua se edhe para  pandemisë, përqindja e grave që ishte aktive në tregun e punës ishte shumë e ulët, prandaj duke e ditur këtë fakt është e rëndësishme që secila qeveri para hartimit të ligjeve, të bëj fillimisht një analizë gjinore për të pare se si janë ndikuar specifikisht gratë. Përgjigja ndaj cdo krize ekonomike do të duhej ta kishte parasysh perspektivën gjinore, rrjedhimisht pozitën e grave në shoqëri. 

Pjesë e panelit në këtë salon ishin: Arbëreshë Kryeziu Hyseni, Deputete, Lëvizja Vetëvendosje dhe Adelina Tërshani, Koordinatore e projektit, Rrjeti i Grave të Kosovës. Salloni u moderua nga Mirishahe Syla, studiuese e çështjeve gjinore, nga e cila do të hartohet edhe editoriali.

 


Ky Sallon realizohet në kuadër të projektit “Rritja e qasjes së grave në punësim”, i mbështetur nga Ambasada Mbretërore Norvegjeze në Prishtinë.

 

Sallonet e ardhshme