Sa është e vështirë për gratë e moshës së mesme të gjejnë punë në Kosovë?

19.11.2019

Shkalla e papunësisë së grave vazhdon të jetë e lartë. Gjetja e një vendi pune është edhe më e vështirë për gratë e moshës së mesme. Një pjesë e madhe e tyre kanë mbetur jashtë tregut të punës për një kohë shumë të gjatë, prandaj edhe kthimi në punë bëhet edhe më i vështirë me kalimin e viteve. Gratë e moshës së mesme kanë nevojë për qasje në informacione që lidhen me punësimin, përditësim të shkathtësive të tyre dhe përkrahje nga institucionet politikëbërëse dhe institucionet relevante të përkrahjes së punësimit. Organizatat e shoqërisë civile në Kosovë duhet gjithashtu të avokojnë për të rritur qasjen e tyre në punësim. Këto dhe shumë të tjera u diskutuan në Sallonin e së Martes me temë “Sa është e vështirë për gratë e moshës së mesme të gjejnë punë në Kosovë?”.

Disa nga rekomandimet kyqe nga panelistët dhe të pranishmit ishin përmirësimi i sistemit dhe formave të qasjes në informata rreth punësimit për gratë e moshës së mesme, ofrimi i përkrahjes në përditësimin e shkathtësive të tyre në përputhje me kërkesat e tregut të punës, rritjen e bashkëpunimit institucional me sektorin privat duke ofruar lehtësira administrative për bizneset që punësojnë këto gra. Për më shumë, u theksua nevoja për të avokuar për këtë çështje duke marrë parasysh se gratë e moshës së mesme janë një ndër kategoritë më të diskriminuara në tregun e punës në Kosovë.

Pjesë e panelit në këtë diskutim ishin: Muhamet Klinaku, Drejtor, Departamenti i Tregut të Punës, Agjencia e Punësimit e Republikës së Kosovës, Iliriana Jaka Gashi, Drejtore, Kosova Women for Women si dhe Olivera Ceni, Drejtore, Departamenti për Analiza Ekonomike dhe Politika, Oda Ekonomike e Kosovës. Salloni u moderua nga Blerinë Ukshini, Koordinatore e projektit, Instituti Demokraci për Zhvillim dhe editoriali do të shkruhet nga Nita Zogiani, Menaxhere e projektit, Qendra Kosovare për Studime Gjinore.

Ky sallon është realizuar në kuadër të projektit “Rritja e qasjes së grave në punësim”, i përkrahur nga Ambasada Mbretërore Norvegjeze në Kosovë.

Sallonet e ardhshme