Rruga e integrimit të Kosovës në BE: Në cilën fazë qëndrojmë?

21.05.2021

Kosova ka treguar një progres të dukshëm drejt aspiratave të saj për integrim në BE duke filluar me nënshkrimin e MSA-së në vitin 2008, ndërsa në vitin 2016 ka nënshkruar dhe aprovuar Agjendën e Reformave Evropiane, në ndërkohë Komisioni Evropian ka aprovuar liberalizimin e vizave për Kosovën. Megjithatë, rrugëtimi i integrimit në Kosovë mbetet i koklavitur për shkak të mungesës së njohjes nga shtetet anëtare të BE-së dhe mungesës së reformave politike, ekonomike e shoqërore si kritere që duhen plotësuar nga një shtet aspirant drejt BE-së.

Me qëllim diskutimin e këtyre pikave, Instituti D4D të martën më datë 18 maj 2021, mbajti Sallonin me temë: “Rruga e integrimit të Kosovës në BE: Në cilën fazë qëndrojmë?”. Pjesë e këtij salloni si panelist ishin: Teuta Sahatqija, ish Zëvendësministre e Punëve të Jashtme, Lulzim Peci, Drejtor Ezekutiv i Kipred dhe Donika Emini, Drejtoreshë Ekzekutive në Civikos .

Duke e potencuar perspektiven evropiane të Kosovës më të veçantë në krahasim me shtetet e tjera, znj Sahatqija thekson se ndërrimi i qeverive në vend  ka ndikuar në intenzitetin e vendit dhe Evropës për t’u angazhuar në këtë fushë. Njohja e shteteve Evropiane do të investonte në njohjen në OKB, dhenien e vlerave dhe demokratizimit të shteteve në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Ngecja e Kosovës në këtë proces e pengon atë në zhvillimin e saj shtetëror, prandaj bashkëpunimi më i madh me BE-në duhet dhe është i nevojshëm të rritet.

Në ndërkohë Lulzim Peci, theksoi impaktin e madh dhe të rëndësishëm të Bashkimit Evropian në Kosovë që nga pas lufta, duke kaluar deri tek reformat e shtetndërtimit të Kosovës. Marrëveshja e nënshkruar në vitin 2013 mes Kosovës dhe Serbisë, për mospengim të njëra-tjetrës në rrugëtimin e tyre drejt BE-së nuk nënkupton që Serbia nuk do t’a përdor veton saj, e cila eshtë më rëndësi fundamentale për të ardhmen e Kosovës në BE. Kështu, dialogu dhe negocimi i Kosovës me Serbi është në avantazh të saj në menjanimin e bllokimit për të ardhenm e saj euroatlantike, kuu substanciale në këtë rrugëtim është njohja e Kosovës nga 5 shtetet anëtare të BE-së dhe përfundimi i reformave të caktura, ku vendi ynë qëndron shumë larg në përmbushjen e tyre.

Znj. Emini argumentoi së integrimi në BE nënkupton një domen i cili është i integruar brenda funksionimit të brendshëm të shtetit, dhe Kosova nuk ka treguar akoma një progres që ndryshon politikën e Kosovës në këtë drejtim, duke i theksuar këtu  35 kapitujt e standarteve evropiane. Nga ana tjetër është mungesa e vullnetit të Bashkimit Evropian, ku aktualisht fokusi i saj është tek çështjet e saj të  brendshme dhe Ballkani Perëndimor po qëndron anash, ku në këtë kornizë natyrisht që përfshihen interesat e shteteve. Po ashtu, znj. Emini theksoi metodologjinë e qasjes për integrimin e BE-së së Kosovës dhe shteteve të Ballkanit Perëndimor për negocim më BE-në në procese teknike dhe rëndësinë e bashkëpunimit rajonal të shteteve.

Ky sallon u realizua me mbështetje nga Konrad Adenauer Stiftung (KAS).

 

Sallonet e ardhshme