Rinia në vendimmarrje – Sfidat e gjithëpërfshirjes gjatë periudhës me Covid-19 në Komunën e Ferizajit

11.12.2020

Me datë 09 dhjetor 2020, u organizua Salloni me Rini në Komunën e Ferizajit me temë: “Rinia në vendimmarrje – Sfidat e gjithëpërfshirjes gjatë periudhës me Covid-19 në Komunën e Ferizajit”. Pjesë e panelit në këtë sallon ishin: Florina Ujupi, Drejtore Ekzekutive, OJQ Nisja, Zhvillohu, Ferizaj, Agon Zhinipotoku, Udhëheqës i Sektorit të të Rinjve, Komuna e Ferizajit dhe Vullnet Ilazi, Kryetar, Kuvendi Rinor, Ferizaj.

Viti 2020 u karakterizua me shumë vështirësi për të gjitha sferat jetësore, e ndër të tjera këto vështirësi u shfaqën edhe në punët dhe aktivitetet që rinia realizon gjatë vitit. Për shkak të masave dhe kufizimeve të vendosura nga Qeveria e Republikës së Kosovës në dakordim me Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, u reduktuan, e madje u ndaluan shumë nga këto aktivitete. Aktivitetet e vetme të mbajtura këtë vit ishin ato të realizuara në formë virtuale, apo aktivitetet të cilat nuk kërkonin numër të madh të të rinjve në pjesëmarrje.

Z. Zhinipotoku theksoi se në Komunën e Ferizajit u mbajtën aktivitete gjatë muajit qershor si rrjedhojë e lirimit të masave kufizuese nga Qeveria, mirëpo të gjitha ishin aktivitete në ambiente të hapura si ekspozita e artit në sheshin e qytetit, takimet konsultative me të rinjtë, aktivitete vullnetare si shpërndarja e maskave dhe mjeteve dezinfektuese për qytetarët dhe të tjera.

Ndër vështirësitë, u cek edhe ajo e ndjekjes së procesit mësimor nga fëmijët dhe të rinjtë e kësaj komune ku znj. Ujupi tregoi shqetësimin e saj drejt këtij aspekti. Kalimi nga sistemi i viteve të kaluara në një sistem online si pasojë e pandemisë Covid-19 u shfaqi të rinjve shumë problem, si në anën materiale ashtu edhe atë adaptuese. Ndërsa gjatë kësaj kohe nuk kanë munguar aktivitetet me të rinj të cilët gjithmonë janë vullnetarë për realizimin e tyre në Komunën e Ferizajit, në bashkëpunim me organizatat joqeveritare.

Z. Ilazi në cilësinë e Kryetarit të Kuvendit Rinor të Komunës së Ferizajit u foli bashkpanelistëve dhe pjesëmarrësve virtual për punën e këtij organi gjatë kohës së pandemisë. Aktivitetet e Kuvendit Rinor ishin të reduktuara dhe kryesisht të mbajtura në formën virtuale duke mënjanuar grumbullimin e të rinjve. Në kuadër të kësaj, si përfaqësues zyrtar i të rinjve shpalosi shqetësimin për mungesën e qendrave dhe hapësirave rinore të cilat do të mundësonin mbajtjen e aktiviteteve në mënyrë adekuate dhe funksionale.

Ky sallon u moderua nga Lorita Rama, Kryetare, KVRL Ferizaj, nga e cila do të shkruhet edhe editoriali.


Ky sallon është mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Sallonet e ardhshme