Rinia në Kosovë: Nga Apatia në Angazhim – Si t’i Rrisim Pjesëmarrjen dhe Ndikimin Politik?

11.12.2024

“Rinia në Kosovë: Nga Apatia në Angazhim – Si t’i Rrisim Pjesëmarrjen dhe Ndikimin Politik?”, ishte tema e cila u diskutua në Sallonin e së Martës.

Për të diskutuar rreth kësaj teme, ishin të ftuar: Ditjon Fetahu, Drejtor Ekzekutiv në KYC; Alban Bajrami, Deputet në Kuvendin e Kosovës dhe Egzon Osmanaj, Menaxher i Programit në FES ku moderimin e këtij salloni do ta bëjë Erblin Hoxha, Drejtor Ekzekutiv në ODA Consulting.

Interesi dhe pjesëmarrja e të rinjve në politikë është shumë e ulët. Sipas një studimi të FES-it, rreth gjysma e të rinjve të moshës 14-29 vjeç nuk janë të interesuar për politikë, një përqindje më e lartë se në rajon. Rreth 40% deklarojnë se nuk dinë asgjë për politikën, gjë që përbën një shqetësim për demokracinë, pavarësisht se shumica e popullsisë e mbështet atë.

Vetëm 10% e të rinjve janë përfshirë në parti politike, ndërsa 60% shprehen se nuk do të angazhoheshin kurrë në ndonjë parti, duke reflektuar qartë apatinë ndaj përfshirjes politike.

Kultura politike aktuale favorizon të rinjtë me trashëgimi politike familjare, gjë që demoralizon të rinjtë e tjerë dhe ul motivimin për aktivizëm dhe ndikim politik.

Një tjetër problem është mungesa e edukimit mbi angazhimin politik, i cili shpesh lidhet vetëm me partitë politike. Duhet rritur ndërgjegjësimi përmes shkollave, mediave dhe shoqërisë civile, duke promovuar njohuritë dhe të drejtat ligjore të të rinjve për t’i inkurajuar ata të angazhohen më shumë.

Sallonet e ardhshme