Në pritje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese

22.05.2020

Të marten më datë 19 maj 2020, u mbajt Salloni i së Martës me temë: “Në pritje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese”.

Kosova ende po llogaritet si një vend pa traditë politike dhe pa traditë të pluralizmit politik. Një problem i cili u potencua gjatë këtij diskutimi është se te ne nuk ka pasur vullnet politik e ndoshta as dije të mjaftueshme si shoqëri civile që të kërkohet të ketë ligj për parti politike. Kjo ndoshta edhe është arsyeja pse partitë politike e kanë këtë lehtësi të sundimit dhe jo të qeverisjes demokratike e cila po reflektohet në skenën tonë politike në përgjithësi.

Si institucione që janë njëkohësisht edhe juridike edhe politike, Gjykatat Kushtetuese janë aktorë të rëndësishëm në jetën demokratike të një vendi. Gjatë Sallonit u theksua se Gjykatat Kushtetuese duhet të jenë të guximshme dhe të pohojnë domosdoshmërisht demokracinë, veçanërisht në demokracitë e reja siç është rasti në Kosovë. Si e tillë, është me rëndësi për të gjithë të dijnë se Gjykata Kushtetuese është autoriteti përfundimtar në Republikën e Kosovës për interpretimin e Kushtetutës dhe përputhshmërisë së ligjeve me Kushtetutën.

Gjatë kësaj situate, problematikë po shihet aktgjykimi i vitit 2014 lidhur me formimin e qeverisë. Ndërkaq që nga ai vit kemi 8 gjyqtarë të rinj në përbërjen e Gjykatës Kushtetuese, andaj u potencua se mbetemi me shpresën se vendimi do të jetë i bazuar në ligj dhe do të mbroj demokracinë në Kosovë.

Pjesë e panelit në këtë sallon ishin: Gjylieta Mushkolaj, Profesoreshë në Fakultetin Juridik – Universiteti i Prishtinës dhe Anëtare e Komisionit Kushtetues të Republikës së Kosovës dhe Vigan Qorrolli, Jurist dhe mësimdhënës, Fakulteti Juridik – Universiteti i Prishtinës. Ky sallon u moderua nga Ehat Miftaraj, Drejtor Ekzekutiv, Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), nga i cili do të bëhet edhe shkrimi i editorialit.

Ky sallon u realizua me mbështetje nga Friedrich Ebert Stiftung, Prishtina Office.

Sallonet e ardhshme