Ndikimi i pandemisë në punësimin e grave

15.07.2020

Pandemia COVID-19 përveç rrezikut në shëndetin e përgjithshëm publik, ka pasoja të mëdha edhe në ekonomi. Një ndër problemet me të cilat Kosova është ballafaquar për një periudhë të gjatë kohore është papunësia, e theks të vecantë është papunësia te gratë. Me qëllim diskutimin e këtyre pikave, të martën me datë 14 korrik, D4D mbajti Sallonin e së Martës me temë: “Ndikimi i pandemisë në punësimin e grave”.

Gratë e punësuara kanë qenë të prekura negativisht edhe për shkak të barrierave tradicionale me të cilat ato ballafaqohen cdo ditë në shoqërinë tonë. Nga ana tjetër se sa me urgjencë dhe integrim gjinor është marr e gjithë situata ekonomike dhe e gjithë luhatja e tregut të punës, është mënyrë e mirë të shihet përmes përgjigjes së qeverisë në masat e rimëkëmbjes ekonomike. Gjatë këtij Salloni u diskutuan edhe propozimet e Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë për rimëkëmbjen ekonomike ku fokusi ka qenë në ristrukturimin e tërësishëm të ekonomisë me ndikim afatgjatë. Ndërkaq, për bizneset të cilat udhëhiqen nga gratë janë propozuar stimuj të vecantë financiarë dhe fiskal.

Ndër masat e fundit ku shihet edhe mbyllja e çerdheve, ka shkaktuar probleme të shtuara për shkak se kjo situatë po e rëndon edhe më shumë gjendjen e grave në treg të punës. Gjatë diskutimit u potencua se në procesin e rimëkëmbjes ekonomike cilido program që aprovohet nga qeveria, duhet të mundësojë një mjedis më të qëndrueshëm ekonomik të vendit dhe kjo do të arihet nëse ndjeket një qasje gjithëpërfshirëse, me integrim gjinor.

Pjesë e panelit në këtë sallon ishin: Anila Sylaj, Asistente Ekzekutive, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë dhe Saxhide Mustafa, Zëvendëse e Drejtorit Ekzekutiv, Instituti Riinvest. Salloni u moderua nga Valëza Zogjani, Hulumtuese e politikave, Demokraci për Zhvillim (D4D) dhe editoriali do të shkruhet nga Blerinë Ukshini, Koordinatore e projektit, Demokraci për Zhvillim (D4D).

Salloni është pjesë e projektit “Pozita e grave në tregun e punës post-COVID-19: Sfidat dhe mundësitë”, që implementohet nga Demokraci për zhvillim (D4D), dhe financohet nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur.

 

Sallonet e ardhshme