Metodologjia e re e zgjerimit të BE-së: Çfarë do të thotë kjo për integrimin e Kosovës?

27.02.2020

Çfarë do të thotë metodologjia e re e zgjerimit e BE-së? Cilat janë mundësitë e Kosovës për anëtarësim? A po i kryen Kosova detyrat dhe përgjegjësitë në mënyrë të duhur? Këto ishin disa nga pyetjet të cilat u diskutuan në Sallonin e së Martës me temën: “Metodologjia e re e zgjerimit të BE-së: Çfarë do të thotë kjo për integrimin e Kosovës?”.

Gjatë këtij diskutimi, u potencua se metodologjia e re i jep fuqi më të madhe vendeve anëtare të BE-së, për faktin se shtohet fuqia politike e vendimmarrësve. Prandaj, metodologjia e re e zgjerimit e bën më të lehtë rrugën e çdo procesi që ka vendi ynë drejt BE-së. Gjithashtu, u diskutua për çështjen liberalizimit të vizave dhe mundësinë e dhënies së dritës së gjelbër nga vendet skeptike.

Panelistët e shohin si pozitiv faktin se kriteret do të jenë më të qarta dhe vlerësimi do të bëhet qysh në hapat fillestarë nga vendet anëtare. Ndërkaq u theksua se po tentohen të dërgohen sinjale pozitive se me qeverinë e re, Kosovën do ta karakterizoj sundimi i ligjit. Synimi është që të ndryshohet perceptimi negativ i vendeve anëtare karshi Kosovës.

Rekomandim i parashtruar gjatë këtij salloni ishte komunikimi i procesit për liberalizimin e vizave, i cili duhet të jetë i drejtë dhe i sinqertë në mënyrë që të mos shkaktohen pakënaqësi te qytetarët.

Pjesë e panelit në këtë sallon ishin: Danijela Barišić, Ambasadore, Ambasada e Kroacisë në Kosovë; Taulant Kryeziu, Zëvendësministër, Ministria e Integrimit Evropian dhe Bardha Tahiri-Jelliqi, Eksperte e Integrimit Evropian, Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF). Salloni u moderua nga Artan Murati, Ligjërues i të drejtës së BE-së ndërsa editoriali është shkruar nga Valëza Zogjani, Hulumtuese e politikave, Demokraci për Zhvillim.

Ky sallon është mbështetur nga Open Society Foundation.

Sallonet e ardhshme