Mbajtja në jetë e sistemit arsimor: Si po zhvillohet mësimi online në kohë pandemie?

08.04.2020

Ashtu si të gjitha vendet e botës, edhe Kosova nuk ka qenë e përgatitur për ballafaqim me një situatë të tillë pandemie. Në këtë situatë, mësimi ka vazhduar të mbahet online përmes platformave të ndryshme dhe kjo sigurisht se ka edhe përparësitë dhe mangësitë e veta. Gjatë diskutimit në këtë sallon u potencua se mbajtja e mësimit në këtë formë është vështirë të jetë efektive nëse mungon bashkëpunimi dhe ndërveprimi i mësimdhënësve me nxënës dhe prindër. E rëndësishme është që të realizohen të gjitha kushtet në mënyrë që shkolla të bëj një komunikim sa më efektiv dhe të ketë në fokus ofrimin e ndihmës edhe për nxënësit të cilët nuk posedojnë paisje teknologjike dhe nuk kanë qasje në internet.

Në mënyrë që mësimi i zhvilluar online të jetë më cilësor, gjatë këtij diskutimi u dhanë edhe rekomandime që të punohet në nivel të autoriteteve komunale dhe shkollave në mënyrë që të organizohet më mirë komunikimi mes shkollave, mësimdhënësve, prindërve dhe nxënësve. Përpos kësaj, u theksua se duhet të hartohet një udhëzues i vlerësimit dhe ndërveprimit në mënyrë që të përdoren metoda që u mundësojnë fëmijëve të realizojnë rezultatet e duhura të mësimit në lëndë të ndryshme. Gjithashtu, gjatë këtij Salloni u rekomandua se duhet të zhvillohen politika të cilat do të përforcojnë teknologjinë dhe përdorimin e saj në fushën e edukimit.

Sa po arrin të sigurohet cilësia në të mësuarit online? Cila është platforma online më e përshtatshme për mbajtje të mësimit? Cili është roli i prindërve, nxënësve dhe i komunitetit gjatë kësaj situate? Çfarë do të bëhet me fëmijët të cilët nuk kanë qasje në internet? Ishin këto vetëm disa nga pyetjet të cilat u parashtruan dhe u diskutuan gjatë Sallonit të së Martës me temë: Mbajtja në jetë e sistemit arsimor: Si po zhvillohet mësimi online në kohë pandemie?”, i cili u mbajt përmes platformës online Google Meet.

Pjesë e panelit në këtë sallon ishin: Dukagjin Pupovci, Drejtor Ekzekutiv, Qendra për Arsim e Kosovës (KEC) dhe Xhavit Rexhaj, Zëvendësministër i Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit. Salloni u moderua nga Bardha Qirezi, Rektore, Kolegji Riinvest.

Ky sallon u realizua me mbështetje nga Friedrich Ebert Stiftung, Prishtina Office dhe Kosovo Foundation for Open Society (KFOS).

 

Sallonet e ardhshme