Leja prindërore: Pikënisje për riformësim të tregut të punës?

05.04.2018

Me datën 3 Prill, 2018 u mbajt Salloni i radhës me temë “Leja prindërore: Pikënisje për riformësim të tregut të punës?”. Pjesë e panelit ishin Henrik Nilsson, Ambasador i Suedisë në Kosovë, Çerkin Dukolli, Zëvendës Ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Aridana Gashi, Profesoreshë në Universitetin e Prishtinës dhe Alban Hashani Drejtor Ekzekutiv në Institutin Riinvest.

Në këtë  sallon u diskutua se si është paraparë të rregullohet  leja e lindjes (pushimi i lehonisë), atësisë dhe prindërore në koncept dokumentit për rregullimin e fushës nga marrëdhënia e punës, draft dokument ky i cili është në fazën e diskutimeve publike dhe është i hapur për komentim për të gjitha grupet e interesit që mund të japin kontributin e tyre në mënyrë që të krijohet një koncept sa më i përshtatshëm për të gjitha palët,  deri me 11 prill 2018 në platformën për konsultime publike.

Gjatë diskutimit  u theksua nevoja rishikimit të modelit të propozuar në këtë koncept dokument për rregullim e pushimit të lehonisë dhe lejes prindërore, çështjet lidhur me modalitetet e ndryshme për kompensimin e lejes së lindjes, atësisë dhe prindërore,  si dhe sasinë e hulumtimeve të marra në konsideratë nga Ministria përpara se të dizajnohej modeli i saj i propozuar. Në tërësi, diskutimi  vuri unë pah mendimet dhe shqetësimet e ndryshme që ende mbizotërojnë lidhur me ketë çështje, si  ndarjet gjinore të përgjegjësive dhe detyrave të lidhura me familjen. U theksua që nëse trajtimi i pabarazisë gjinore është një objektiv, atëherë efektet ekonomike mbi gratë pas shtatzënisë duhet të jenë qëllimi i rëndësishëm i politikave publike.

Ky sallon u moderua nga Ajete Kërqeli, Menaxhere e projektit në Institutin Demokraci për zhvillim, ndërsa editoriali u shkrua nga Iliriana Banjska, Analiste për çështje gjinore, Rrjeti i Grave të Kosovës.

Sallonet e ardhshme