Fondi Kosovar për Garanci Kreditore: Si të kemi qasje më të lehtë në financa?

05.12.2019

A ekziston me të vërtetë problemi i qasjes në financa në Kosovë? Nëse po, sa është kjo hapësirë dhe cili është roli i Fondeve Garantuese në këtë aspekt? Ishin këto vetëm disa nga pyetjet të cilat u shtjelluan në Sallonin e së Martës të mbajtur më datë 03 dhjetor 2019, me temë: “Fondi Kosovar për Garanci Kreditore: Si të kemi qasje më të lehtë në financa?”.

Gjatë këtij salloni me qëllim diskutimin mbi zhvillimin ekonomik, panelistët potencuan se sektori financiar në Kosovë është një sektor stabil dhe i suksesshëm. Ndikim pozitiv në këtë sektor kanë edhe Fondet e Garantimit të Kredive si politika ekonomike të një shteti, të cilat ndihmojnë në zbutjen e qasjes në financa. Këto institucione u cilësuan si mekanizma që nxitin kreditimin dhe njëkohësisht që ofrojnë përmirësimin e qasjes në financa përmes lehtësimit të rrezikut kreditor.

Krahas aspekteve pozitive, gjatë këtij diskutimi u sygjerua se këto institucione duhet të ofrojnë edhe asistencë teknike nga aspekti i këshillëdhënies në mirëmbajtjen e pasqyrave financiare, strukturave formale të bizneseve dhe njëkohësisht analizave të mirëfillta dhe kredibile të tregut në mënyrë që të merren vendime sa më racionale.

Pjesë e panelit në këtë diskutim ishin: Besnik Berisha, Drejtor, Fondi Kosovar për Garanci Kreditore; Bahrije Dibra, Koordinatore e lartë në Sektorin e Financave dhe Energjisë, Zyra e KfW Prishtinë si dhe Visar Paçarada, Anëtar i Bordit Menaxhues, ProCredit Bank Kosova. Salloni u moderua nga: Blerta Qerimi, Specialiste në Sektorin Privat, Banka Botërore në Kosovë.

Ky sallon u mundësua nga financimi i Odës Ekonomike Gjermano-Kosovare.

Sallonet e ardhshme