Pandemia është një emergjencë e panjohur globalisht ku jo vetëm Kosova, por e gjithë bota është duke u ballafaquar me këtë problem. Përveç problemeve shëndetësore dhe ekonomike, duket se kjo pandemi globale ka shfaqur edhe probleme politike ku as Kosova nuk është imune ndaj këtyre sfidave. Gjatë kësaj periudhe, shumë qytetarë kanë shfaqur pakënaqësitë e tyre në forma të ndryshme, siç ishin protestat në ballkone.
Kosova është një shtet që ende ka sistemin shëndetësor të dobët për të përballuar ndonjë shpërthim siç kemi rastin e virusit COVID-19, prandaj gjatë Sallonit të së Martës u theksua se ndalimi i tubimeve ka qenë i domosdoshëm në këtë periudhë. Në anën tjetër ky vendim ka qenë i bazuar në rekomandimin e organeve shëndetësore, pra janë politikat shëndetësore ato të cilat kanë dominuar. Përpos kësaj, u potencua se pavarësisht rrethanave, vështirësive sociale, krizave ekonomike, politike apo shëndetësore, duhet të nisemi nga premisa se e drejta për protesta demokratike, për mobilizim qytetar, për protestim apo kundërshtim jo-violent është e drejtë absolute dhe e patjetërsueshme. Si e tillë, e drejta për të protestuar nuk duhet të kufizohet në asnjë rrethanë.
Në fund të këtij diskutimi u rekomandua se përkundër kufizimit aktual të mundësisë për t’u grumbulluar fizikisht në kuptimin klasik të protestave, kjo situatë duhet të jetë edhe një alarm që të jemi vigjilent dhe të mos lejojmë që kjo situatë të përdoret nga cilado palë për qëllime të veta. Prandaj, duhet të inkurajohen lëvizjet e ndryshme dhe shprehjet e pakënaqësisë çdo herë që ka nevojë.
Të martën më datë 05 maj, u mbajt Salloni i Martës me temë: “E drejta e qytetarëve për protesta demokratike në kushtet e emergjencave dhe masave shtrënguese”. Pjesë e panelit në këtë sallon ishin: Armend Bekaj, Zyrtar i lartë i programeve, International IDEA dhe Taulant Hoxha, Drejtor Ekzekutiv, Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF). Salloni u moderua nga Visar Xhambazi, Hulumtues i politikave, Demokraci për Zhvillim (D4D) ndërsa editoriali do të shkruhet nga Visar Rushiti, Analist i politikave, Democracy plus (D+).