A është e realizueshme idea e bashkimit kombëtar? Si ndikon kjo temë në shtetësinë e Kosovës? A është bashkimi kombëtar prioritet i qeverisë së re? Ishin këto disa nga pikat të cilat u diskutuan gjatë Sallonit të së Martës me temë: “Dekonstruktimi i idesë së bashkimit Shqipëri-Kosovë: Çfarë mendojnë qytetarët?”, që u mbajt me datë 11 shkurt 2020.
Gjatë këtij salloni, kjo ide u cilësua si një proces i cili nuk duhet të konsiderohet ndesh me procesin e integrimit Europian. Madje u potencua se bashkimi është i mundur por duhen shikuar mënyra të bashkëpunimit pa pasur nevojë për ndryshime kufijsh. Nga ana tjetër, u diskutua edhe mos-realizimi i kësaj ideje si dhe nevoja që kjo ide të mos dominoj në diskursin politik kosovar për arsye se ndikon në hapjen e temës së ndarjes së Kosovës.
Panelistët potencuan se bashkimin e bëjnë politikanët por gjatë këtij diskutimi u potencua se vendet duhet fillimisht të zgjidhin problemet e tyre të brendshme dhe se kjo ide nuk mund të realizohet me politikanët aktual. Politika duhet të jetë para së gjithash formë, procedurë dhe të përfshij kanale të rregullta të komunikimit. Ndërkaq u theksua se ekzistojnë mënyra të shumta bashkëpunimi në aspektin e ekonomisë, sportit dhe shumë të tjera.
Çështja e bashkimit ka filluar të tjetërsohet duke mos qenë prioritet në programin e qeverisë të re, duke iu referuar fjalimit të Kryeministrit në Kuvend. Nga ana tjetër si aspekt pozitiv për Kosovën shihet rritja e lëvizjes dy drejtimshe, edhe ajo nga qytetarët e Shqipërisë si dhe prezantimi i suksesshëm i Kosovës nga artistët e lojtarët të cilët mendohet se kanë qenë ndikues në zbehjen e dëshirës së qytetarëve të Kosovës për bashkim me Shqipërinë.
Pjesë e panelit në këtë sallon ishin: Adri Nurellari, Analist dhe Berat Buzhala, Gazetar, Gazeta Express. Salloni u moderua nga Eraldin Fazliu, Kryeredaktor, Prishtina Insight ndërsa editoriali do të shkruhet nga Donika Hamiti, publiciste.