Cilët janë mekanizmat për stimulimin e pjesëmarrjes së të rinjve në vendimmarrje?

04.09.2019

Rinia është e ardhmja e vendit, thënie kjo të cilën jo rrallë herë e kemi dëgjuar. Por sa janë të përfshirë ata në proceset vendimmarrëse? Thënë më saktësisht, cilët janë mekanizmat për stimulimin e tyre në këto procese? Me qëllim të diskutimit të këtyre pikave, u mbajt Salloni i së Martës në Komunën e Kamenicës me temë: “Cilët janë mekanizmat për stimulimin e pjesëmarrjes së të rinjve në vendimmarrje?”.

Fryma e bashkëpunimit, respektit dhe e barazisë janë disa nga virtytet të cilat i karakterizojnë të rinjtë e kësaj komune. Gjatë këtij diskutimi u potencua se gjithçka fillon nga angazhimi dhe vullneti i të rinjve për të bërë gjëra të mira për vete dhe për vendin e tyre. Koha e re kërkon njerëz të rinj dhe ndryshime të reja në shoqëri. Prandaj, ajo çfarë kërkohet nga këta të rinj është energjia dhe vullneti i tyre për t’i shtyer gjërat përpara pasi që janë ata të cilët po pasqyrojnë dhe promovojnë vlerat e vendit.

Ndërkaç sfidë e cila u potencua është moszbatimi i Ligjit të Rinisë edhe në praktikë dhe për këtë arsye panelistët theksuan nevojën se të rinjtë duhet të ngrisin zërin e tyre dhe të tregojnë se ata kanë një rol aktiv në shoqëri. Vetëm në këtë mënyrë do të ketë mundësi të bëhet identifikimi dhe zgjidhja e nevojave të tyre.

Pjesë e panelit në këtë sallon ishin: Qëndron Kastrati, Kryetar, Komuna e Kamenicës; Natyra Kallaba, Zyrtare për teatër, Komuna e Kamenicës si dhe Doruntina Maliqi, Anëtare e Bordit, Këshilli i Veprimit Rinor Lokal (KVRL) në Kamenicë ndërsa u moderua nga Elionita Rexhepaj, aktiviste dhe anëtare e KVRL-së.

Ky sallon është mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Sallonet e ardhshme