Takimi Përmbyllës i Komitetit të Përhershëm Rajonal për Rritjen e Hyrjes së Grave në Punësim

13.07.2021

Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D) dhe Qendra e Aleanca Gjinore për Zhvillim (GADC) mbajtën takimin përmbyllës të Komitetit Rajonal për Rritjen e Qasjes së Grave në Punësim, më 09 korrik 2021 në Prishtinë.

Komiteti Rajonal përbëhej nga përfaqësues të institucioneve qeveritare, organizatave të shoqërisë civile dhe dhomave të tregtisë nga Kosova dhe Shqipëria. Qëllimi kryesor i tij ishte shkëmbimi i informatave dhe rekomandimeve mbi politikat e punësimit, inicimi dhe udhëzimi i strategjive rajonale dhe iniciativave të avokimit që kontribuojnë në rritjen e punësimit të grave.

Takimi i Komitetit Rajonal prezantoi dokumentin e politikave “Rritja e Qasjes së Grave në Punësim” që diskuton gjendjen aktuale të tregut të punës në Kosovë dhe Shqipëri, kornizën ligjore dhe politikat aktuale, progresin dhe sfidat e politikave të punësimit si dhe ofron rekomandime specifike për përmirësim.

Diskutimi vijoi nga institucionet përkatëse te cilat paraqitën perspektivat e tyre dhe shkëmbyen informacion mbi praktikat më të mira për të kapërcyer pengesat dhe sfidat.

Komiteti i Përhershëm Rajonal është pjesë e projektit rajonal “Rritja e Qasjes të Grave në Punësim”, i financuar nga Ambasada Mbretërore Norvegjeze në Prishtinë. Projekti synonte rritjen e pjesëmarrjes së grave në tregun e punës përmes avokimit në luftën kundër diskriminimit gjinor, promovimit të një pune të denjë dhe zbatimit të strategjive miqësore gjinore që përmirësojnë praninë e grave në tregun e punës.