Takim në mes vajzave të reja dhe grave të suksesshme në fushën e biznesit

24.09.2021

Instituti D4D sot ka mbajtur takimin me vajza të reja dhe gra të suksesshme në Fushën e Biznesit. Ky takim kishte për qëllim që vajzave të reja t’u ofroj mundësinë të njihen për së afërmi me përvojën e grave të suksesshme në fusha të ofrimit të shërbimeve, informimit, e ndërmarrësisë, si mënyrë për t’i motivuar për treg të punës dhe orientim në karrierë.

Pjesëmarrja e grave në treg të punës vazhdon të mbetet shqetësuese. E edhe më shqetësuese është jo-aktiviteti i grave, që do të thotë gra të cilat as nuk punojnë por as nuk kërkojnë punë. Pandemia Covid-19 ka vështirësuar edhe më shumë aktivitetin e grave në treg të punës, ku të dhënat nga Agjencia e Statistikave të Kosovës tregojnë se shkalla e jo-aktivitet në nivel vendi është mjaft e lartë me 61.7%, me fokus të veçantë te gratë me 79.2 %, krahasuar me burrat, 44.0%.

Andaj, rrjetëzimi me gra dhe vajza në fushën e biznesit, ide të reja për biznes, mësime të reja rreth menaxhimit dhe qëndrueshmërisë në tregun e punës, janë shumë të rëndësishme në këtë fazë kur po përballemi me pandeminë Covid-19.

Pjesë e panelit në këtë takim ishin Melita Ymeraga, Melita &Partners; Ardiana Pajaziti, Kultplus & Kultplus Caffe Gallery; Arbnora Gosalci, Ulpina, Blerina Mati, B Ideas.

Ky takim është mbajtur në kuadër të projektit “Mbështetje për gratë e afektuara nga pandemia COVID-19 në tregun e punës” Mbështetur nga Balkan Trust for Democracy (BTD).