Ndikimi i pandemisë në punësimin e grave në Kosovë

18.12.2020

Instituti Demokraci për zhvillim (D4D) në televizionin Kanal 10 ka realizuar emisionin “Ndikimi i pandemisë në punësimin e grave në Kosovë”.  Të ftuar për të diskutuar rreth temës ishin znj. Judita Krasniqi, njohëse e çështjeve gjinore, z.Shpëtim Kalludra, Drejtor i departamentit të punësimit, Agjencia e Punësimit të Republikës së Kosovës dhe znj. Albena Reshitaj, Deputete e Kuvendit të Republikës së Kosovës njëkohësisht Kryetare e komisionit për shëndetësi dhe mirëqenie sociale.

Znj. Krasniqi prezantoi hulumtimin e realizuar nga Insituti D4D i cili ka për qëllim të tregojë se si ka ndikuar pandemia Covid-19 në punësimin e grave në Kosovë, hulumtim i cili kryesisht është bazuar në të dhënat zyrtare të Agjencisë së Statistikave të Kosovës dhe Agjencisë së Punësimit, duke krahasuar të dhënat mes vitit 2019 dhe 2020. Një pjesë e këtij hulumtimi i kushtohet edhe krahasimit të të dhënave me shtetet e rajonit.

Z. Kalludra tregoi se shifrat e larta të papunësisë së grave në Kosovë kanë bërë që Agjencia e Punësimit të Kosovës të hartojë një plan të punës i cili filloi implementimin nga muaji qershor i vitit 2020, duke ndërmjetësuar kështu në punësimin e rreth 5500 persona, prej të cilëve rreth 51,6% janë gra.

Znj. Reshitaj tha se masat që janë ndërmarrë nga qeveria e kaluar dhe ajo aktuale që nga muaji mars, është pritur që do të kenë pasoja të tilla, të cilat fatkeqësisht i kanë prekur më së shumti gratë. Ndër të tjera poashtu shtoi se sipas hulumtimeve del se si rrjedhojë e vendimit të qeverisë për lirimin e njërit prind nga puna për përkujdesje të fëmijëve gjatë kohës së izolimit, janë gratë ato të cilat janë larguar nga vendi i punës për të mirëmbajtur shtëpinë dhe familjen. Kjo gjë bën të kuptohet se gratë janë grupi më i prekur përsa i përket punësimit dhe papunësisë në periudhën e pandemisë Covid-19.

Për më shumë mund ta ndiçni emisionin në linkun në vijim:

https://www.facebook.com/Kanal10.live/videos/209750614017677

Ky emision u realizua në kuadër të projektit “Adresimi i pasojave të COVID-19 në të drejtat e grave në tregun e punës” mbështetur nga Trusti i Ballkanit për Demokraci.