Lansimi i projektit “Rritja e qasjes së grave në punësim”

14.12.2018

Me 14 dhjetor 2018, është bërë lansimi i projektit rajonal “Rritja e qasjes së grave në punësim”, e cila do të implementohet në partneritet nga Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D) dhe Qendra

Aleanca Gjinore për Zhvillim (GADC) nga Shqipëria, falë përkrahjes nga Ambasada Mbretërore Norvegjeze në Prishtinë.

Shpend Emini, Drejtor Ekzekutiv i Institutit D4D, shprehi falënderimin për ambasadën e Norvegjisë dhe theksoi nevojën e zhvillimit të këtij projekti për të adresuar sfidat me të cilat ballafaqohen gratë në tregun e punës. Të gjeturat e fundit tregojnë se mungesa e barazisë gjinore nuk është vetëm çështje e pabarazisë, por gjithashtu është faktor kyç që e mban Kosovën të pazhvilluar. Sfida të ngjashme gjithashtu e pengojnë zhvillimin në Shqipëri dhe kufizojnë qasjen e grave në tregun e punës. Drejtoresha e GADC, Mirela Arqimandriti, theksoi se shkalla e lartë e papunësisë, diskriminimi në punë, trajtimi jo i barabartë janë vetëm disa nga shkeljet e raportuara nga gratë. Gjatë fjalimit hyrës, Ambasadori Per Strand Sjaastad, theksoi se përfshirja e grave në tregun e punës zvogëlon pabarazinë dhe ndihmon në zhvillimin e ekonomik të vendit dhe se shoqëritë që respektojnë barazinë gjinore janë më produktive dhe inovative. Ai gjithashtu shtoi se qeveria e Norvegjisë është përkrahëse e madhe e barazisë gjinore dhe e beson fuqishëm në domosdoshmërinë e zhvillimit të potencialit të grave dhe burrave në zhvillimin e gjithmbarshëm të shoqërisë.

Linda Abazi-Morina, bëri një prezantim të shkurt të intervenimeve që do të ndërmerren, në Kosovë dhe Shqipëri, me qëllim të rritjes së qasjes së grave në tregun e punës, përmes avokimit të synuar në luftën kundër diskriminimit gjinor, promovimit të punës së dinjitetshme dhe zbatimit të strategjive miqësore gjinore, që përmirësojnë praninë e grave në tregun e punës. Kjo do të arrihet përmes avokimit të synuar dhe ndërtimit të kapaciteteve, skemave të granteve të vogla dhe forumeve rajonale.