Konferenca për lansimin e punimit “Analizë mbi veprimtarinë e Kuvendit të Kosovës në periudhën 2019-2020”

11.12.2020

Instituti Demokraci për Zhvillim me datë 10 dhjetor 2020, organizoi konferencën për lansimin e punimit “Analizë  mbi  veprimtarinë  e  Kuvendit  të  Kosovës  në periudhën  2019-2020”.

Në këtë punim janë mbledhur dhe analizuar të dhëna për të paraqitur se si Kuvendi i Kosovës ka përmbushur rolin e tij në mbikëqyrjen parlamentare dhe shqyrtimin e legjislacionit. Në raport fokus janë periudha nga janari i vitit 2019 deri në gusht i vitit 2020, që përfshinë dy sesionet e punës së dy legjislaturave të ndryshme.

Nga të pranishmit u potencua se Kuvendi ka ushtruar mandatin e tij në rrethana jo-normale për shkak të pandemisë Covid-19, andaj ka qenë e vështirë të nxjerren krahasime të punës së Kuvendit duke pasur parasysh këto rrethana. Ndër të tjera, u diskutua se nevojitet një koordinim më efikas mes Parlamentit dhe Qeverisë në mënyrë që deputetët të arrijnë të përmbushin obligimet e tyre. Sa i përket transparencës dhe llogaridhënies, nga panelistët u theksua se janë qytetarët ata të cilët duhet të vlerësojnë sa janë të përgjegjshëm deputetët duke votuar apo mosvotuar për ta në legjislacionin e ardhshëm.

Ky raport mund t’u shërbejë qytetarëve që të kuptojnë se si punon Kuvendi, deputetëve që të kenë një vlerësim objektiv të punës së tyre, në mënyrë që të ndërmarrin reformat e nevojshme për të rritur funksionalitetin e këtij institucioni.

Pjesë e panelit në këtë konferencë ishin: Arbërie Nagavci, Nënkryetare, Kuvendi i Republikës së Kosovës; Shkëmb Manaj, Deputet, Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe Blerta Deliu Kodra, Deputete, Kuvendi i Republikës së Kosovës. Punimi u prezantua nga autori Albert Krasniqi ndërsa diskutimi u moderua nga Allen Meta, Instituti D4D.

Punimin e plotë mund ta gjeni në: https://d4d-ks.org/punimet/analize-mbi-veprimtarine-e-kuvendit-te-kosoves-ne-periudhen-2019-2020/

Ky projekt është mbështetur nga Fondacioni Heinrich Böll, për të monitoruar dhe adresuar problemet kyçe në Kuvendin e Kosovës, përmes hulumtimit.