Komuna e Pejës: Takim me kryetarin

12.10.2020

Gjatë takimit më 7 tetor që institute Demokraci për Zhvillim (D4D) realizoi me kryetarin e Komunës së Pejës, z. Gazmend Muhaxherri, temë diskutimi ishte transparenca dhe llogaridhënia nga ana e ekzekutivit të Komunës, marrëdhënieve mes Kryetarit dhe Kuvendit të Komunës së Pejës, si dhe gjithëpërfshirjes së qytetarëve në procese politikëbërëse dhe vendimmarrëse.

Qëllimi i këtij takim ishte prezantimi i programit Kosova që Duam (KQD) – në kuadër të FES, dhe i platformës qeverismire.info – e zhvilluar nga D4D përmes një projekti mbi qeverisjen lokale, dhe njëkohësisht të marrim informata mbi punën e Komunës karshi problemeve kryesore të identifikuara gjatë punës dyvjeçare të KQD.

Pandemia COVID-19 gjithsesi ka ndikuar në punën e Komunës, veçanërisht në përfshirjen e qytetarëve në vendimmarrje meqë tubimet e qytetarëve kanë qenë të ndaluara nga qeveria si masë për parandalim të përhapjes së pandemisë. Megjithatë, z. Muhaxherri njoftoi se komuna i ka realizuar të gjitha takimet e planifikuara me qytetarë në këtë aspekt, dhe të gjitha janë mbajtur me tubime fizike duke respektuar distancën sociale dhe masat e tjera në fuqi, ku përafërsisht 75% e shqetësimeve dhe kërkesave të qytetarëve janë marrë parasysh nga këto takime në procesin e politikëbërjes dhe vendimmarrjes.

Njëkohësisht, z. Muhaxheri na njoftoi për investimet e komunës gjatë vitit të fundit, si për shembull janë ndërtuar disa penda për ujitje nëpër fshatra të Pejës, janë bërë investime në shkolla duke i kyçur të gjitha shkollat nën administrimin e Komunës në rrjetin e ngrohtores së qytetit – duke larguar stufat me dru që kanë qenë të vendosura nëpër shkolla, janë bërë gjithashtu investime sanitare në të gjitha shkollat publike të Pejës, tri (3) kopshte për fëmijë janë në ndërtim e sipër (Një është në planin buxhetor të Komunës, një me donacion nga IPA 4, dhe një në bashkëpunim me Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë, dhe Inovacionit) dhe në secilën prej tyre do të punësohen nga 6 edukator/e, dhe shumë investime të tjera kapitale.

Sa i përket ofrimit të kushteve jetësore për grupet e margjinalizuara në komunën e Pejës, në disa lagje me shumicë banor të komuniteteve jo-shumicë janë bërë disa investime në rrugë, ndriçim, dhe kanalizim, si dhe janë ofruar stimulime financiare dhe institucionale në ndërmarrësi për të interesuarit nga këto komunitete. Gjithashtu, z Muhaxheri theksoi se në dëgjimet publike për buxhet komunitetet jo-shumicë janë të parët me të cilët organizohet takimi dhe dëgjohen nevojat e shqetësimet e tyre.

Për fund, z. Muhaxheri theksoi se pandemia COVID-19 dukshëm ka ndikuar në të ardhurat vetanake të komunës gjatë muajve të fundit, duke pësuar një rënie për pothuajse 30% në të ardhura nga taksat. Kjo është edhe si rezultat masave lehtësuese për bizneset, duke i lejuar të përdorin hapësirat publike pa paguar taksë me synim që të ndihmojnë rimëkëmbjen ekonomike të komunës.

Ky takim u realizua në kuadër të projektit “Qeverisje lokale transparente dhe llogaridhënëse” si pjesë e programit Kosova që Duam (KQD), mbështetur nga FES dhe implementuar nga D4D.