
“Hendeku mes kualifikimeve dhe punësimit të grave të reja: Pse shumë gra të reja me arsim të lartë vazhdojnë të përballen me papunësi dhe cilët faktorë strukturorë, institucionalë dhe socialë ndikojnë që aftësitë e tyre të mos shfrytëzohen në tregun e punës?” ishte tema e cila u diskutua këtë të martë në Sallonin e së Martës, e organizuar nga Instituti Demokraci për Zhvillim.
Për të diskutuar rreth kësaj teme, të ftuar në panel ishin: Xhavit Rexhaj, Profesor në Kolegjin AAB; Judita Krasniqi, Profesoreshë në Kolegjin Ndërkombëtar të Biznesit (IBCM) dhe Rrona Zhuri, Koordinatore e Hulumtimit në Institutin GAP. Ndërkaq, diskutimi u moderua nga Vjosa Ademi, Profesoreshë në Universitetin “Hasan Prishtina”.
Gjatë diskutimit u theksua se, pavarësisht nivelit të lartë të arsimimit, shumë gra të reja vazhdojnë të përballen me vështirësi në gjetjen e punës. U diskutua mospërputhja mes kualifikimeve që ato fitojnë dhe kërkesave të tregut të punës, si dhe mungesa e mundësive për përvojë praktike. Po ashtu, u theksua se faktorët strukturorë dhe socialë, si stereotipet gjinore dhe diskriminimi që shfaqet që në shpalljet e vendeve të punës, ndikojnë që aftësitë e tyre të mos vlerësohen dhe të mos shfrytëzohen siç duhet, sidomos në pozitat më të larta.
Ky sallon është realizuar me mbështetje të Konrad Adenauer Stiftung.





