
“(Mos)përputhja mes arsimit të lartë dhe nevojave të tregut të punës: A po i pajisin programet universitare gratë e reja me aftësitë dhe kompetencat që kërkohen nga tregu i punës në Kosovë?”Në panel për të diskutuar këtë temë ishin: Dukagjin Pupovci, ekspert i arsimit; Brikena Berisha, menaxhere e programit në Iniciativa Kosovare për Stabilitet; dhe Besnik Krasniqi, profesor në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”. Diskutimi u moderua nga Saxhide Mustafa, bashkëpunëtore e lartë në Institutin Riinvest.
Gjatë diskutimit u theksua se sfidat në përputhjen mes arsimit dhe tregut të punës janë komplekse dhe nuk lidhen domosdoshmërisht vetëm me gjininë. Megjithatë, u nënvizua rëndësia e krijimit të një mjedisi universitar gjithëpërfshirës dhe të sigurt për vajzat dhe gratë, pa diskriminim gjinor dhe seksizëm.
Panelistët theksuan nevojën për reforma në kurrikula dhe në qasjen mësimore, si dhe forcimin e shërbimeve të këshillimit në karrierë, veçanërisht për mbështetjen e studenteve në zhvillimin e aftësive praktike dhe përgatitjen për tregun e punës, përfshirë hartimin e CV-ve dhe orientimin profesional.
U diskutua gjithashtu se, ndonëse numri i grave të diplomuara në arsimin e lartë është më i madh se ai i burrave, kjo nuk përkthehet gjithmonë në pjesëmarrje të barabartë në tregun e punës, duke ngritur nevojën për ndërhyrje më të thelluara institucionale dhe bashkëpunim më të madh ndërmjet universiteteve dhe sektorit privat.
Ky sallon u perkrah nga Konrad Adenauer Stiftung – Kosovë






