Përbërja dhe funksionimi i Qeverisë: A duhet të kufizohet me ligj?

22.01.2019

Struktura e Qeverisë, vështruar nga aspekti kronologjik, vazhdimisht është zgjeruar që nga shpallja e Pavarësisë së Kosovës, e bashkë me të janë rritur edhe përgjegjësitë dhe kostoja financiare. Në mungesë të një bazamenti ligjor për Qeverinë, përbërja aktuale e Qeverisë ka krijuar edhe paqartësi mbi kompetencat dhe përgjegjësitë, duke ndikuar kështu shpesh edhe në efikasitetin e punës së Qeverisë në tërësi, e madje edhe ministrive veç e veç. Në këtë drejtim, hartimi dhe miratimi i një ligji për Qeverinë pritet të ndodhë gjatë muajve të ardhshëm. Mirëpo, a është i nevojshëm një ligj i tillë? Nëse po, çfarë duhet të përmbajë ai?

Si rrjedhojë e kësaj, vëmendje të veçantë në këtë diskutim kanë marrë tema e kufizimit të numrit të ministrive, aspekti krahasimor i shteteve të rajonit, si dhe aspekti juridik dhe kushtetues i sanksionimit të numrit të ministrive në këtë ligj. Përgjithësisht, panelistët u dakorduan se nevojitet miratimi i Ligjit për Qeverinë, megjithëse me ide të ndryshme për përmbajtjen e të njëjtit, për të rregulluar strukturën qeveritare dhe fushat e përgjegjësisë brenda zyrës së kryeministrit dhe ministrive, si mjet për sigurim të qeverisjes efektive, efikase dhe transparencë ndaj qytetarëve të saj.

Pjesë e panelit në këtë sallon ishin: Besnik Tahiri, Koordinator Nacional për Reforma Shtetërore, ZKM;  Glauk Konjufca, Deputet i Kuvendit të Kosovës, LVV, si dhe Korab Sejdiu, Deputet i Kuvendit të Kosovës. Salloni u moderua nga Jeton Mehmeti, Drejtor i hulumtimeve, Instituti GAP, ndërsa editoriali do të shkruhet nga Valëza Zogjani, Menaxhere e Projektit, Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D).

Salloni i së Martës, me fokus në temën: “Përbërja dhe funksionimi i Qeverisë: A duhet të kufizohet me ligj?” është mbajtur më 22 Janar 2019, në Komunën e Prishtinës.

Sallonet e ardhshme