Efikasiteti i deklarimit të pasurisë në parandalimin e korrupsionit: Çfarë kemi bërë deri më tani?

11.12.2018

Modifikimi i ligjit ekzistues në raport me deklarimin e pasurisë, në mënyrë që edhe zyrtarë tjerë t’i nënshtrohen këtij procesi, u potencua nga panelistët si nevoja më e madhe që na duhet në këtë aspekt. Me anë të ligjit të ri i cili pritet që të hyj në fuqi, por që aktualisht është duke u punuar dhe analizuar si draft, procesit të deklarimit të pasurisë përveç zyrtarëve institucionalë, pritet t’i nënshtrohen edhe profesorët e Universitetit, doktorët, e madje edhe inspektorët, për shkak se mendohet që ata janë më lehtë të ekspozuar karshi korrupsionit. Për më tepër, u theksua se duhet të ketë transparencë më të theksuar, e cila na paraqitet si nevojë e domosdoshme në parandalimin e korrupsionit.

Si koncept, gjithashtu u tha se korrupsioni nuk është vetëm problem i Kosovës, por i të gjitha shteteve. Mirëpo, duke qenë se Kosova është vend më i vogël, çështja e korrupsionit zmadhohet. Luftimi i këtij fenomeni po na kërkohet tash e sa kohë edhe në përmes Raportit të Progresit, por megjithatë, përgjatë diskutimit u pohua se rezultatet vazhdojnë të jenë të pakënaqshme. Në fund të diskutimit, pjesëmarrësit dhe panelistët u pajtuan se nevojitet punë më intensive, si dhe bashkëpunim më i theksuar në mes të qytetarëve dhe hapësirave institucionale në parandalimin e korrupsionit.

Pjesë e panelit në këtë sallon ishin: Alessandra Roccasalvo, Zëvendës Drejtore, UNDP në Kosovë; Shaip Havolli, Drejtor, Agjencia kundër Korrupsionit (AKK); si dhe Ariana Qosaj-Mustafa, Drejtore e Programit dhe Hulumtuese e Lartë, KIPRED. Salloni u moderua nga Yllka Buzhala, Udhëheqëse e hulumtimit, Lëvizja FOL, ndërsa editoriali do të shkruhet nga Asdren Osaj, Hulumtues i politikave, Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D).

Salloni “Efikasiteti i deklarimit të pasurisë në parandalimin e korrupsionit: Çfarë kemi bërë deri më tani?”, është mbajtur më datën 11 dhjetor 2018, në kuadër të javës kundër korrupsionit.

Ky sallon u realizua me mbështetjen e UNDP në Kosovë

Sallonet e ardhshme