Viktimat e dhunës në familje: Çfarë ofron niveli komunal për riintegrimin e grave në punë dhe shoqëri?

27.11.2019

16 ditët e aktivizmit është fushata kundër dhunës në baza gjinore e cila shënohet në mbarë botën. Nevoja për një koordinim institucional, vullnet politik si dhe bashkëpunim më të madh në mënyrë që të arrihet riintegrimi socio-ekonomik i grave viktima te dhunës në familje, janë theksuar edhe në Sallonin e së Martës organizuar nga Instituti D4D me temën: “Viktimat e dhunës në familje: Çfarë ofron niveli komunal për riintegrimin e grave në punë dhe shoqëri?”.

Gjatë diskutimit panelistët shprehën nevojën e përpilimit të një strategjie në nivel komunal e cila do t’u mundësonte riintegrim më të madh në punë dhe shoqëri këtyre grave. Mënyrat e zbutjes së situatës dhe evitimit të dhunës në familje duhet të arrihen bashkërisht, kësisoj duhet që të gjitha institucionet të kenë prioritet mirëqenien e tyre dhe riintegrimin socio-ekonomik. Megjithatë sfida kryesore sipas folësve është mungesa buxhetore e cila minimozon mundësitë e intervenimit, gjë për të cilën duhet të avokohet në vazhdimësi.

Në fund të diskutimit nga panelistët u shpreh interesim për të vazhduar bashkëpunimin dhe bashkërenditjen e aktiviteteve në mënyrë që të ofrohet përkrahje dhe mundësi më të mëdha për gratë viktima të dhunës në familje.

Pjesë e panelit në këtë sallon ishin: Dren Kukaj, Drejtor, Drejtoria për Mirëqenie Sociale; Valbona Pula Petrovci, Anëtare, Kuvendi i Komunës së Prishtinës; Zana Hamiti, Drejtore, Qendra për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve në Prishtinë si dhe Bardha Sadriu, Kryetare, Shoqata e Rrobaqepësisë “Bardha”. Salloni u moderua nga: Rozafa Kelmendi, Menaxhere e Projektit, Kosova UN Women.

Ky aktivitet u mbështet në kuadër të Programit Angazhimi për Barazi – E4E, i financuar nga Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar – USAID dhe mbështetur nga Qendra e Trajnimeve dhe Burimeve për Avokim – ATRC.

Sallonet e ardhshme