Sigurimi i energjisë elektrike përmes asaj të ripërtëritshme: Si qëndron Kosova?

07.03.2019

Sistemi aktual i energjisë elektrike është i papërshtatshëm dhe i vjetruar – duke i shkaktuar kështu sfida të mëdha zhvillimit ekonomik në Kosovë. Andaj, për të përmirësuar mënyrën e jetesës, si nevojë paraqitet edhe furnizimi me energji të përballueshme. Mirëpo, a ka punuar shteti i Kosovës mjaftueshëm në këtë drejtim?

Në këtë linjë të shtjellimit, efikasiteti i burimeve të ripërtëritshme, në përgjithësi ka pasur ngritje. Për të ilustruar me shembull, çdo vit, në teknologjinë solare dhe atë të erës, thuhet se kemi rreth 20 për qind efikasitet në rritje. Në këtë drejtim, e ardhmja e Kosovës duhet të jetë në përputhje me vizionin e vendeve të botës, si dhe duhet të punohet akoma më shumë në harmonizimin e legjislacionit të Kosovës, me atë të Bashkimit Evropian. Ishin këto pikat kryesore në të cilat kaluan panelistët dhe pjesëmarrësit përgjatë diskutimit.

Për më tepër, si kontribut në diskutim është trajtuar edhe çështja e ndotjes së ajrit, ku është thënë se përveç kushteve atmosferike dhe termocentraleve të vjetra, një faktor tjetër i ndotjes konstatohet të jetë edhe ngrohja me lëndë djegëse, siç është thëngjilli. Andaj, panelistët dhe pjesëmarrësit, përgjithësisht u dakorduan se përgjatë hartimit të politikave energjetike, duhet të kemi parasysh ndotjen e ajrit dhe sëmundjet e ndryshme, e që si pasojë, vijnë nga përdorimi i thëngjillit.

Paneli u përbë nga: Gazmend Haxholli, CEO, Jaha Solar; Visar Azemi, Executive Director, Balkan Green Foundation (BGF), si dhe Bedri Dragusha, Profesor në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike. Salloni u moderua nga Ermal Imeri, Drejtor menaxhues, ESCO Power Solution, ndërsa editoriali do të shkruhet nga Nora Jusufi, Hulumtuese, Instituti GAP.

Salloni i së Martës, me fokus në temën: “Sigurimi i energjisë elektrike përmes asaj të ripërtëritshme: Si qëndron Kosova?” është mbajtur më 5 Mars 2019, në Komunën e Prishtinës.

Sallonet e ardhshme