Sektori i rinisë në kohë pandemie: Të arriturat dhe sfidat në Komunën e Gjakovës

02.12.2020

Më datë 27 nëntor, u mbajt Salloni me të rinjtë me temë: “Sektori i rinisë në kohë pandemie: Të arriturat dhe sfidat në Komunën e Gjakovës”. Pjesë e panelit në këtë Sallon ishin: Saranda Hyseni- Maloku, Drejtore DKRS, Komuna e Gjakovës dhe Zymber Berisha – Udhëheqës i Sektorit për Arsim, Komuna e Gjakovës.

Znj. Saranda Hyseni Maloku filloi diskutimin duke bërë të ditur vështirësitë që Komuna e Gjakovës ka hasur gjatë kohës që po përballemi me një pandemi, e veqanërisht vështirësitë nëpër të cilat po kalojnë të rinjtë e kësaj komune. Me gjithë kufizimet që janë vendosur nga institucionet përkatëse shtetërore, në pajtim me këto kufizime Komuna e Gjakovës ka zhvilluar aktivitete në mënyre elektronike përmes platformave Zoom dhe Google Meet, që të mos shuhen tërësisht aktivitetet pasiqë kjo ndikon edhe negativisht në gjendjen emocionale të të rinjëve në këtë komunë. Znj. Hyseni Maloku tregoi se gjatë kësaj kohe është organizuar në formë elektronike një ekspozitë, shfaqje teatrale dhe aktivitete të tjera kulturore, të cilat në një vit të zakonshëm bëhen nga të rinjtë shumë aktiv të Komunës së Gjakovës në ambiente të hapura dhe me shumë pjesëmarrje. Një nga brengat e Znj. Hyseni Maloku ishte mos aplikimi i të rinjëve për përfitimin e fondeve nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport në këtë Komunë, e cila ka një buxhet rreth 20.000 euro i cili është specifikisht i ndarë për projektet të cilat vijnë nga të rinjë e Komunës së Gjakovës.Z. Zymber Berisha ndau me bashkpanelisten dhe pjesëmarrësit në rrjetin Facebook përvojat dhe vështirësitë që Drejtoria e Arsimit e Komunës së Gjakovës hasi në fillimin e vitit shkollor 2020/2021, vit i cili filloi me vonesë, në perputhje me udhëzimet e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, ku kjo e fundit përpiloi Udhëzues për mbarëvajtjen e procesit mësimor nëpër shkollat e komunave të Kosovës. Në përputhje me masat e përcaktuara nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë Z. Berisha tregoi se nxënësit kanë mbajtur disa aktivitete gjatë këtij viti shkollor, ani pse këtë vit ishin më vështirë të realizueshme. Aktivitetet e zhvilluara në kuadër të shkollave të Komunës së Gjakovës ishin si në vijim: Gara Olimpike 15-22 qershor, të realizuara përmes videove të cilat janë vlerësuar nga Komiteti Olimpik i Kosovës; Gara për vizatimin më të mirë me temë “Çka të bën të lumtur” e realizuar me mbështetjen e ambasades Finlandeze; Në koordinim dhe me mbështetje nga GIZ, shkollat kampion të Komunës së Gjakoves kanë realizuar projektin për hapësirën dhe shkollën më të mirë;  Është zhvilluar aktiviteti “Të bashkuar kundër ndotjes”, dhe të tjera. Ndër të tjera Z. Berisha shpalosi edhe sfidat që kaluan këtë vit, duke potencuar kështu faktin e infektimi të mësimdhënësëve, gjë e cila imponoi mbylljen e klasave përkatëse duke kaluar nxënësit në skenarin C të mësimit, sipas Udhëzuesit nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, gjë e cila krijoi një sfidë në vete si pasojë e mos posedimit të mjeteve adekuate për kyqje në mësimin online. Si rrjedhojë organizata dhe akterë tjerë u mobilizuan duke i dhuruar Komunës së Gjakovës mjete si tabletë apo laptopë për nxënësit të cilët kishin nevojë për to, për ta ndjekur mësimin.

Në fund të sallonit që të dy panelistët bënë thirrje për rritje të bashkepunimit mes organizatave joqeveritare dhe Komunës së Gjakoves, si dhe për rritjen e aplikimeve të projekteve rinore në Komunën e Gjakovës.

Moderimi i këtij Salloni u realizua nga Ideal Zhaveli, Kryetar, KVRL – Gjakovë, nga e cili do të shkruhet edhe editoriali.


Ky sallon është mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Sallonet e ardhshme