Sektori i rinisë në kohë pandemie: Cilat janë kërkesat e të rinjve/rejave në Komunën e Pejës?

02.12.2020

Më datë 30 nëntor, u mbajt Salloni me të rinjtë me temë: “Sektori i rinisë në kohë pandemie: Cilat janë kërkesat e të rinjve/rejave në Komunën e Pejës?”. Pjesë e panelit në këtë Sallon ishin: Gazmend Muhaxheri, Kryetar, Komuna e Pejës, Xhenet Syka – Kelmendi, Drejtore, Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport, Komuna e Pejës dhe Jeta Nushi Sheremeti, Shefe e Sektorit për Rini, Komuna e Pejës.

Z. Gazmend Muhaxheri, kryetari i Komunës së Pejës filloi diskutimin duke shpalosur mbështetjen e Komunës për të rinjtë e Pejës. Të rinjtë e kësaj komune janë mbështetur financiarisht në bazë të buxhetit të ndarë paraprakisht për aktivitetet rinore të qendrave rinore, të kulturës dhe të sportit, mirëpo shtoi se gjithmonë kjo mbështetje është e pamjaftueshme dhe se secila qeveri lokale duhet të përmirësojë këtë fushë pasiqë të rinjtë janë e ardhmja e fuqisë punëtore e zhvilluese e komunës së tyre.

Znj. Xhenet Syla – Kelmendi bashkëbisedoi me panelistët dhe pjesëmarrësit për sfidat e këtij viti. Covid-19 si një ngjarje e paparashikueshme ka devijuar aktivitetet rinore që kanë qenë të planifikuara nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport të Komunës së Pejës, duke marrë parasysh izolimin që qytetarët patën gjatë pranverës, disa kohë në stinën e verës, dhe përseri në kohën aktuale. DKRS nuk ka mundur të bëjë mbarëvajtjen e aktiviteteve por gjithmonë ka mbajtur dyert e hapura për mbështetje të asociacioneve rinore. Disa nga aktivitetet që u mbajtën gjatë kohës së pandemisë janë realizuar në formë virtuale, siç ishte edhe Edicioni i 11-të i festivalit “Anibar”, i cili u mbështet nga Komuna e Pejës.

Znj. Jeta Nushi – Sheremeti njoftoi pjesëmarrësit se Sektori i Rinisë të Komunës së Pejës është partner i projektit Street Art të Bashkimin Evropian i cili ka filluar që nga muaji nëntor 2019 dhe do të përfundojë në fund të vitit 2021. Implementimi i këtij projekti filloi në janar të vitit 2020, mirëpo rrethanat shëndetësore shtetërore dhe masat e marra nga Qeveria e  Republikës së Kosovës bënë që projekti të stagnojë, dhe të gjitha aktivitetet që do të duhej të mbaheshin fizikisht janë realizuar përmes platformave online. Të gjitha planifikimet e tjera të Sektorit për Rini janë anuluar, si rrjedhojë është bërë një hulumtim se si ka ndikuar pandemia Covid-19 në gjendjen shëndetësore dhe fizike tek të rinjtë, si ka ndikuar izolimi dhe në fund hulumtimi ka paraqitur rekomandimet të cilat do të përdoren në të ardhmen për të planifikuar aktivitetet për vitin 2021.

Moderimi i këtij Salloni u realizua nga Dionis Kollçaku, Kryetar, KVRL – Pejë, nga e cili do të shkruhet edhe editoriali.


Ky sallon është mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Sallonet e ardhshme