Sa do të dëmtojë rininë një buxhet i fokusuar në paga dhe skema sociale?

22.02.2019

Rinia e Kosovës përbën pjesën më vitale të shoqërisë, si për nga aspekti i pjesëmarrjes së saj në shoqëri, ashtu edhe nga potenciali i saj strategjik në zhvillimin e gjithmbarshëm të vendit. Në këtë linjë të mendimit, është e nevojshme që këtij potenciali rinor, t’i ofrohen kushte dhe mundësi për të qenë pjesë aktive dhe kontribut dhënëse në të gjitha fushat e zhvillimeve në vend. Mirëpo, sa është e mundshme një gjë e tillë, nëse të rinjtë nuk bëjnë pjesë në prioritetet e buxhetit të vendit? Kategoria e mbrojtjes sociale është kategoria me pjesëmarrjen më të madhe në buxhetin e Republikës së Kosovës. Madje, kjo kategori e kalon edhe atë të zhvillimit ekonomik. Në këtë drejtim, zgjerimi i shpejtë i shpenzimeve të buxhetit të Kosovës, me fokus të veçantë në skema të ndryshme sociale si dhe paga, është duke u bërë barrë presioni mbi buxhetin e Kosovës.

Si rezultat i kësaj, vëmendje të veçantë në këtë diskutim i është kushtuar faktit se çështja e skemave sociale dhe pagave ka filluar të marrë përmasa të jashtëzakonshme, ku në ndarjen e buxhetit për vitin 2019, parashihet që 60 për qind e saj do të shpenzohet në paga të sektorit publik dhe në skema sociale. Kështu, mendohet që vetëm 40 për qind e buxhetit do të mbetet për investime dhe për zhvillim të vendit. Përgjithësisht, përgjatë diskutimit u dakordua se buxheti i ngarkuar nga skemat sociale dhe pagat, e pamundëson që të ketë aktivizëm dhe zhvillim intensiv të rinisë në vend, andaj në këtë drejtim, u përmendën edhe modifikimet potenciale në buxhet të Kosovës, e që në fokus të këtij buxheti, të jenë të rinjtë.

Paneli u përbë nga: Feim Hoxha, Drejtor i Departamentit të Rinisë, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS); Arbëresha Loxha, Group for Legal and Political Studies (GLPS), si dhe Muhamet Vokrri, Ligjërues, Universiteti i Prishtinës (UP).

Salloni u moderua nga Gersi Gashi, Menaxher i Programit të Hulumtimit, Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D), ndërsa editoriali do të shkruhet nga Doruntina Rexhaj, Juriste.

Salloni i së Martës, me fokus në temën: “Sa do të dëmtojë rininë një buxhet i fokusuar në paga dhe skema sociale?” është mbajtur më 19 Shkurt 2019, në Komunën e Prishtinës.

Ky aktivitet mbështetet nga GIZ/DIMAK

Sallonet e ardhshme