Mësimi në kushte shtëpie: Sa jemi gati?

23.09.2020

Pandemia Covid-19 solli sfida të reja dhe të paeksploruara më parë në procesin e mësimdhënies. Mësuesit, nxënësit dhe prindërit u përballën me nevojën për të njehsuar nevojat e mësimit me inovacionet teknologjike, si dhe u shpërfaqën mangësitë e shumta nëpër shkollat e Kosovës për t’u përballur me situata të pazakonta. Me qëllim diskutimin e kësaj çështje, të martën me datë 15 Shtator, Instituti D4D mbajti Sallonin e së Martës me temë: “Mësimi në kushte shtëpie: Sa jemi gati?”.

Përfaqësues nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Republikës së Kosovës, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës dhe Edutask kanë bërë thirrje për bashkëpunim të ndërsjelltë mes institucioneve me qëllim organizimin dhe mbarëvajtjen e procesit mësimor në mënyrën më të mirë të mundshme në rrethana jo të zakonshme. Në kuadër të temës u diskutua edhe për skenarët e përpiluar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës për vijim e mësimit për vitin shkollor 2020/2021.

Mungesa e mjeteve teknike tek nxënësit dhe personeli arsimor gjatë periudhës së mbajtjes së mësimit online shfaqi sfida për mbarëvajtjen e procesit mësimor, por njëkohësisht krijoi një pasqyrë për gjendjen dhe mungesën e pajisjeve teknologjike në shkolla, me shpresë se Qeveria e Kosovës do të ndërmarrë hapa në përmirësimin e kësaj dukurie.

Mbajtja e maskës, pastrimi i duarve sipas udhëzimeve dhe mbajtja e distancës mbeten mesazhet kryesore të drejtuara për shoqërinë në përgjithësi, e për nxënësit, prindërit dhe mësimëdhënësit në veqanti, me qëllim realizimin e suksesshëm të procesit mësimor dhe ruajtjen e shëndetit.

Pjesë e panelit në këtë sallon ishin: Rrahman Jasharaj, Kryetar, Sindikata e Bashkuar e Arsimit Shkencës dhe Kulturës; Merita Berisha, Departamenti i Mjekësisë Sociale, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike dhe Bardha Qirezi, Eksperte e Edukimit, Drejtore Ekzekutive EDUTASK. Salloni u moderua nga Gresa Statovci, Konsulente për politikëbërje në arsim, nga e cila do të realizohet edhe shkrimi i editorialit.

Ky sallon është realizuar me mbështetje nga Friedrich Ebert Stiftung, Prishtina Office.

Sallonet e ardhshme