Mekanizmat e Transparencës: Si mund të rritet transparenca në proceset vendimmarrëse të Komunës?

01.11.2024

Mekanizmat e Transparencës: Si mund të rritet transparenca në proceset vendimmarrëse të Komunës? Kjo ishte tema që u diskutua në Sallonin e së Martës.

Për të diskutuar rreth kësaj teme, në panel ishte i ftuar Shuajb Blakçori, Drejtor i Drejtorisë së Administratës në Komunën e Podujevës. Qytetarët patën mundësinë të angazhohen në një bashkëbisedim interaktiv me drejtorin. Diskutimi u moderua nga Besnik Muçaj, Menaxher i Programit në Institutin Kosovar për Qeverisje Lokale.

Gjatë këtij diskutimi u theksua se transparenca dhe llogaridhënia janë elemente thelbësore për funksionimin e çdo komune dhe konsiderohen mekanizma mbrojtës që përmirësojnë cilësinë e jetës së qytetarëve.

Podujeva ka arritur një përmbushje prej 93% në aspektin e transparencës komunale, duke e pozicionuar atë ndër më të lartat në shkallë shtetërore. Megjithatë, një nga sfidat kryesore është mirëmbajtja dhe përditësimi i faqeve zyrtare komunale, të cilat shpesh mbingarkohen dhe bien për shkak të kapacitetit të kufizuar të sistemit, duke e bërë qasjen ndaj informacionit të paplotë ose të pamundur për qytetarët.

Ky problem është i lidhur ngushtë me Agjencinë e Shoqërisë së Informacionit, e cila menaxhon faqet zyrtare, por përballet me sfida të mëdha në mirëmbajtjen e tyre. Mungesa e përditësimit të vazhdueshëm dhe problemet teknike ndikojnë negativisht te qytetarët, duke e bërë të vështirë që një qytetar i thjeshtë të marrë informacionet e nevojshme për çështje komunale.
Pavarësisht përpjekjeve në rritje për të adresuar këto sfida, rritja e qasjes ndaj informacionit mbetet një prioritet për të garantuar që çdo qytetar të jetë i informuar dhe të ketë qasje të plotë në të gjitha vendimet dhe procedurat që kanë ndikim në jetën e tyre të përditshme.

Salloni u organizua nga Instituti Demokraci për Zhvillim, në kuadër të projektit “Pjesëmarrja e qytetarëve për vendime më të mira”, mbështetur nga programi i Granteve të Vogla i projektit WeBER 3.0, i zbatuar në Kosovë nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike dhe i financuar nga Bashkimi Evropian dhe Agjencia Austriake për Zhvillim. Përmbajtja e këtij eventi është përgjegjësi e vetme e zbatuesit të projektit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Grupit për Studime Juridike dhe Politike, Bashkimit Evropian apo Agjencisë Austriake për Zhvillim.

Sallonet e ardhshme