Kushtet dhe mundësitë për rihapjen e kopshteve dhe shkollave

05.06.2020

Të marten më datë 02 qershor u mbajt Salloni i radhës me temë: “Kushtet dhe mundësitë për rihapjen e kopshteve dhe shkollave”.

Pandemia ka gjetur të papërgatitur Kosovën, ashtu si i ka gjetur edhe vendet e tjera të botës. Si pasojë e virusit COVID-19, janë marr vendimet për t’u mbyllur edhe institucionet e arsimit të të gjitha niveleve. Kjo periudhë ka qenë shumë sfiduese për të gjithë por sidomos për prindërit të cilët u bënë edukatorë të fëmijëve. Tashmë është marr vendimi për rihapjen e kopshteve dhe Ministria e Arsimit ka dalur me sqarim për institucionet edukative në nivel vendi që gjatë kësaj jave të fillojnë punën vetëm kopshtet të cilat janë të gatshme.

Gjatë këtij diskutimi u theksua se Ministria e Arsimit ka shpërndarë një udhëzues në institucionet edukative dhe Drejtoritë Komunale të Arsimit i cili jep rekomandime për rihapjen e institucioneve parashkollore. Pjesë e udhëzuesit do të jetë edhe mundësia e realizimit të aktiviteteve në ambient të jashtëm në mënyrë që fëmijët t’i shmangen sa më shumë qëndrimit në ambiente të mbyllura.

Një shqetësim i ngritur ishte moskoordinimi mes Ministrisë së Arsimit dhe Drejtorive Komunale të Arsimit, ku gjatë diskutimit u përmend se ka pasur një bashkëpunim të shëndoshë dhe është krijuar një platformë bashkarisht në mënyrë që fëmijët të vazhdojnë mësimin nga shtëpitë.

Tani që janë rihapur kopshtet, rekomandim nga paneli u dha se aktivitetet që do të organizohen duhet të jenë të ndërlidhura me adaptimin e fëmijëve, andaj duhet që të tregohemi të kujdesshëm në tranzicionin shtëpi-çerdhe i cili duhet të jetë sa më i lehtë për fëmijët e vegjël.

Pjesë e panelit në këtë sallon ishin: Laberi Luzha, Udhëheqëse e divizionit të arsimit parashkollor, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit dhe Arlinda Beka, Profesoreshë në Fakultetin e Edukimit, Universiteti i Prishtinës. Salloni u moderua dhe shkrimi i editorialit do të realizohet nga Elira Hashani, MA në Politikat e arsimit.

Ky sallon u realizua me mbështetje nga Friedrich Ebert Stiftung.

Sallonet e ardhshme