Kosova që duam: Cilat janë prioritetet e qeverisë së re për zhvillim ekonomik?

19.12.2019

Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D) më datë 17 dhjetor 2019, mbajti sallonin e 252-të me radhë dhe në të njëjtën kohë ky ishte salloni i fundit për vitin 2019.

Nga do të orientohet zhvillimi ekonomik? Cili sektor do të përfitoj më shumë? Cilat prioritete duhet të prioretizohen? Ishin këto vetëm disa nga pyetjet të cilat ishin pika të diskutimit në Sallonin e së Martës me temë: “Kosova që duam: Cilat janë prioritetet e qeverisë së re për zhvillim ekonomik?”.

Kur diskutojmë për politika ekonomike janë dy tema të cilat na preokupojnë: korrupsioni dhe sundimi i ligjit. Por korrupsioni shihet si një dukuri dhe sfidë e vazhdueshme e secilës qeveri. Prandaj, gjatë këtij diskutimi panelistët theksuan se është e nevojshme edukimi bazik i qytetarëve mbi çështjet ekonomike në mënyrë që të ndryshohet qasja dhe të diskutohet për ndryshimin e paradigmës ekonomike në Kosovë.

Papunësia, deficiti tregtar dhe qasja në kapital janë tri problemet ekonomike të cilat u potencuan nga ana e panelistëve e të cilat duhet të shihen si prioritete. Ndërkaq, kërkesë për qeverinë e ardhshme ishte një vizion transformues për zhvillimin e vendit duke pasur në konsideratë shëndetin e qytetarëve dhe mirëqenien në përgjithësi, andaj kërkohet që të aplikohet ekonomia qarkore. Kërkesë tjetër e cila u shpreh gjatë këtij diskutimi ishte edhe integrimi i konceptit të zhvillimit të qëndrueshëm që ka për bazë aspektin ekonomik, shoqëror dhe mjedisor duke siguruar një qasje gjithëpërfshirëse dhe të barabartë si për gratë edhe për burrat.

Një lidhje mes arsimit dhe ekonomisë shihet si e domosdoshme, duke filluar nga shqyrtimi i kurikulave dhe programeve në mënyrë që të krijohet balancimi mes numrit të diplomuarve dhe numrit të vendeve të punës. Në fund të këtij diskutimi, panelistët inkurajuan që të gjithë qytetarët të jenë pjesëmarrës në hartimin e politikave, implementimin dhe në vlerësimin e tyre në fund.

Pjesë e panelit në këtë sallon ishin: Edison Jakurti, Delegat në Këshillin e Përgjithshëm, Lëvizja VETËVENDOSJE si dhe Learta Hollaj, Menaxhere Operacionale/Hulumtuese e Lartë, Instituti për Politika Zhvillimore. Ky sallon u moderua nga Besa Luzha, Koordinatore e Programit, Friedrich Ebert Stiftung Zyra në Prishtinë dhe editoriali do të shkruhet nga Zekirja Shabani, Kryeredaktor, Gazeta inFokus.

Ky sallon është mundësuar me mbështetje nga Friedrich Ebert Stiftung, në kuadër të platformës ‘Kosova që duam’.

Sallonet e ardhshme