A janë të gatshme Kompanitë Kosovare për t’u bërë furnitore për Industrinë Gjermane?

02.07.2019

Me qëllim identifikimin e mundësive dhe sfidave të kompanive kosovare që të jenë furnitore për tregun gjerman, u mbajt salloni i radhës me temë: “A janë të gatshme Kompanitë Kosovare për t’u bërë furnitore për Industrinë Gjermane?”.

Pjesë e panelit në këtë sallon ishin: Nora Hasani, Drejtoreshë menaxhuese, Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare; Amir Musliu, Menaxher i përgjithshëm, Elsam sh.p.k. si dhe Egzon Kadriu, Shef i prodhimit, CNC Noll sh.p.k. ndërsa u moderua nga Albulena Mavraj, Gazetare e Ekonomisë, Epoka e Re.

Gjatë këtij diskutimi theks të veçantë u vendos në inkurajimin e Kompanive Kosovare për prodhimin e produkteve të cilat do të mund të eksportoheshin në tregun gjerman. Njëkohësisht, si përparësi u potencua tregu i garantuar gjerman, ku të qenurit furnitor për një kompani gjermane zgjatë për një periudhë të gjatë kohore.

Panelistët diskutuan në lidhje me investimet e reja teknologjike që kanë bërë në kompanitë e tyre e të cilat i kanë dhënë biznesit një kahje tjetër siç është fuqizimi në shërbime ndërkombëtare madje bashkëpunimet e tilla afatgjate ndikojnë direkt edhe në ngritje të fuqisë punëtore. Si disavantazh u theksua hezitimi i të rinjve për orientim në shkolla profesionale ku sipas panelistëve nevojitet një reformim në sistemin e edukimit profesional.

Ky sallon u mundësua nga financimi i Odës Ekonomike Gjermane në Kosovë.

Sallonet e ardhshme