Gjendja e demokracisë: Pandemia dhe zhvillimet ekonomike

24.04.2020

Pakoja emergjente e hartuar nga qeveria për ndihmë të kompanive dhe punëtorëve shihet si reagim i menjëhershëm dhe i duhur. Gjeneratori kryesor i punësimit dhe i të hyrave buxhetore konsiderohet sektori privat, andaj nga ky sektor ka pasur kërkesa specifike që do duhej të përfshihen në pakon emergjente në mënyrë që të minimalizohen dëmet të cilat mund t’u shkaktohen gjatë kësaj periudhe. Përndryshe kjo është pakoja e parë emergjente por që nuk përfundon me kaq pasi që ajo që u potencua gjatë këtij diskutimi është se qeveria do të përgatis edhe një pako tjetër për rimëkëmbje ekonomike.

Gjatë diskutimit u potencua se pa një sektor privat aktiv dhe funksional ne nuk mund të kemi rritje ekonomike por as nuk mund të sigurojmë mirëqenie për qytetarët e Kosovës. Prandaj, pa një menaxhim të mirëfilltë të kërkesës agregate, dalja nga kriza mund të jetë shumë e ngadalshme. Për këtë arsye, të pranishmit theksuan se pakoja e rimëkëmbjes së ekonomisë duhet të jetë me targete specifike dhe të jetë e orientuar në sektorët ku ka më shumë nevojë.

Ana e ndritshme e kësaj gjendje shihet digjitalizimi më i madh i shërbimeve të bizneseve pasi që kjo rrit produktivitetin dhe i kontribuon ekonomisë. E përpos kësaj, u potencua se kushtëzimet në masat emergjente kanë qenë një mundësi e mirë për të kontribuar në zbutjen e informalitetit në ekonomi.

Pjesë e panelit në këtë sallon ishin: Agim Krasniqi, Zëvendësministër, Ministria e Financave dhe Transfereve; Berat Rukiqi, Kryetar, Oda Ekonomike e Kosovës dhe Visar Vokrri, Drejtor për Programe, Instituti Riinvest.

Salloni u moderua nga Nora Latifi-Jashari, Drejtore Ekzekutive, Instituti GAP ndërsa editoriali do të shkruhet nga Saxhide Mustafa, Zëvendëse e drejtorit ekzekutiv, Instituti Riinvest. 

Të martën më datë 21 prill 2020, u mbajt Salloni i radhës me temë: “Gjendja e demokracisë: Pandemia dhe zhvillimet ekonomike”. Cfarë janë parashikimet për rritje ose rënje të ekonomisë në përgjithësi? Cilat janë kërkesat nga sektori privat? Si po zhvillohet procesi i ndarjes së mjeteve nga pakoja emergjente e qeverisë? Ishin këto vetëm disa nga pyetjet të cilat u parashtruan dhe diskutuan gjatë këtij salloni.

Ky sallon u realizua me mbështetje nga Friedrich Ebert Stiftung, Prishtina Office.

Sallonet e ardhshme