Fuqizimi i grave në politikë: Sa u japin hapësirë subjektet politike?

04.03.2020

Cilat janë sfidat e grave në proceset politike? A ka nevojë për ndryshime dhe sa po u ofrohet atyre mbështetje? Ishin këto disa nga pikat të cilat u diskutuan gjatë sallonit të së martës me temë: “Fuqizimi i grave në politikë: Sa u japin hapësirë subjektet politike?”.

Gratë ende përballen me sfida të ndryshme sa i përket përfshirjes së tyre në proceset politike. Gjatë këtij diskutimi, u potencua se partitë politike ende nuk ofrojnë hapësirë të mjaftueshme për gratë e që kjo rezulton që ato të mos kenë pozitën e merituar. Gratë ende ballafaqohen me sfida të ndryshme siç janë: gjuha seksiste ndaj tyre, reagimi shoqëror i pavend si dhe mungesa e mbështetjes që ato të jenë pjesë e këtyre proceseve. Nga ana tjetër, interesimi i burrave për këtë temë ende mbetet i ulët. Pavarësisht këtyre sfidave, u theksua edhe trendi pozitiv sa i përket fuqizimit të grave e kjo rezulton si avancim i besimit nga publiku në atë që prezantojnë gratë.

Pjesë e panelit në këtë sallon ishin: Ismet Kryeziu, Drejtor Ekzekutiv, Instituti Demokratik i Kosovës (KDI); Blerta Deliu Kodra, Udhëheqëse e Departamentit për Çështje Gjinore, Partia Demokratike e Kosovës dhe Visare Gorani, Anëtare e Kuvendit të Komunës së Prishtinës (PSD). Salloni u moderua nga Blerinë Ukshini, Koordinatore e projektit, Demokraci për Zhvillim (D4D).

Ky sallon është organizuar në kuadër të projektit “Përtej barazisë numerike: Fuqizimi i grave anëtare të Kuvendeve të Komunave në qeverisje lokale” me mbështetje në kuadër të Programit Angazhimi për Barazi – E4E, i financuar nga Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar – USAID dhe mbështetur nga Qendra e Trajnimeve dhe Burimeve për Avokim – ATRC.

Sallonet e ardhshme