• Shqip

E vërteta pas numrit të ulët të grave në subjektet politike: Adresim i menjëhershëm apo tejkalim

13.12.2021

Të martën më 30 nëntor, është mbajtur Salloni i së Martës me temën: “E vërteta pas numrit të ulët të grave në subjektet politike: Adresim i menjëhershëm apo tejkalim”.

Duke e ditur që gratë kosovare nuk kanë pjesëmarrje të mjaftueshme në politikë dhe në vendimmarrje, për të diskutuar rreth këtyre problematikave Instituti D4D ka ftuar, Jeta Xharra, Drejtore e BIRN, Albert Krasniqi, Drejtor i Programeve në Demokraci Plus, Jehona Lushaku-Sadriu, Profesore e Shkencave Politike në Universitetin e Prishtinës dhe Visar Ymeri, Drejtor Ekzekutiv në Institutin Muisine Kokollari.

Moderimi i këtij salloni është bërë nga Pajtim Gashi, Menaxher i lartë i Programeve në NDI, ndërsa editoriali i këtij salloni është shkruar nga Eugen Cakolli, hulumtues në KDI.

Xharra rreth këtyre problematikave ka thënë se gruaja nuk është promovuar mjaftueshëm. Ajo ka treguar se mbi 50 përqind e grave përfundojnë fakultetin dhe kanë rezultat më pozitiv se sa burrat, mirëpo nuk kanë qasje në treg të punës. Xharra është shprehur se nëse dëshirojmë që të kemi më shumë pjesëmarrje të grave në vendimmarrje dhe në politikë duhet të lëshohet rendi për to.

Ndërsa, Albert Krasniqi nga Demokraci Plus ka treguar se votimi i grave në zgjedhje nacionale është në rritje. Krasniqi është shprehur se sa ma shumë që ka gra në lista aq më shume gra janë zgjedhur për përfaqësim, dhe kjo është një gjë obligative që duhet të ndodhë, ku pastaj pasohet edhe me ndërrimin e sistemit.

Për, profesoreshën universitare, Jehona Lushaku-Sadriu, për të pasur më shumë përfaqësim të grave duhet të rritet presioni ndaj partive politike derisa ka theksuar se ky ndryshim fillimisht duhet të ndodh në familje.

Po thuajse të njëjtin mendim e ka shprehur edhe Visar Ymeri. Sipas tij shoqëria është shumë paragjykuese ndaj grave në politike, dhe kjo duhet të ndërrojë rrënjësisht. Ai ka thënë se kuota duhet të aplikohet në secilin nivel të qeverisjes sepse kjo e ndryshon paragjykimin ndaj grave në politikë.

Për të mësuar më shumë rreth këtij diskutimi, mund të shikoni KËTU

Sallonet e ardhshme