Komuna e Podujevës, me një popullsi prej rreth 71,000 banorësh sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës të publikuara në korrik 2024, përbën një shembull të rëndësishëm të sfidave dhe mundësive për përmirësimin e qeverisjes lokale. Shtrirja e saj në 77 fshatra dhe rënia e popullatës për rreth 17,000 banorë krahasuar me regjistrimin e vitit 2011, reflektojnë një dinamikë komplekse sociale dhe ekonomike që ndikon në cilësinë e jetës dhe shërbimeve publike të ofruara.
Raporti i paraqitur analizon perceptimet e qytetarëve dhe nëpunësve civilë mbi ofrimin e shërbimeve publike, transparencën dhe llogaridhënien në Komunën e Podujevës. Me një mostër prej 216 të anketuarish, shumica e të cilëve të rinj dhe të mesëm, hulumtimi sjell në pah një kënaqësi të përgjithshme me shërbimet komunale, ku 89% e të anketuarve i kanë vlerësuar ato si pozitive. Përkundër kësaj, sfidat mbeten të pranishme, veçanërisht në fushat e përfshirjes së grupeve të margjinalizuara, shpejtësisë së shërbimeve dhe komunikimit efektiv me qytetarët.
Në këtë kontekst, ky raport synon të ofrojë një analizë gjithëpërfshirëse të situatës aktuale duke përdorur të dhëna nga anketa, fokus-grupe dhe diskutime të hapura me qytetarë dhe përfaqësues komunalë. Përmes kësaj analize, punimi identifikon boshllëqet dhe mundësitë për përmirësim, duke propozuar masa konkrete për të përforcuar transparencën, përmirësuar qasjen dhe rritur efikasitetin e shërbimeve publike.
Ky studim shërben si një kontribut për avancimin e qeverisjes lokale të hapur dhe për të adresuar pritshmëritë e qytetarëve të Komunës së Podujevës për një administratë më të përgjegjshme dhe efikase.
Ky raport është realizuar nga Instituti Demokraci për Zhvillim në kuadër të projektit “Pjesëmarrja e qytetarëve për vendime më të mira” mbështetur nga programi i Granteve të Vogla i projektit WeBER 3.0, i zbatuar në Kosovë nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike dhe i financuar nga Bashkimi Evropian dhe Agjencia Austriake për Zhvillim. Përmbajtja e këtij raporti është përgjegjësi e vetme e zbatuesit të projektit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Grupit për Studime Juridike dhe Politike, Bashkimit Evropian apo Agjencisë Austriake për Zhvillim.