Në Zgjedhjet Lokale të vitit 2021 ishin gjithsej 14 gra kandidate për Kryetare të Komunave. Prej tyre 11 ishin nga subjektet politike me shumicë shqiptare. Megjithëse vërhet një prezencë më e vogël e mbulueshmërisë mediale të grave kandidate në krahasim homologët e tyre burra, kohë pas kohe ishin pjesë e artikujve dhe postimeve të shpërndarë sidomos në faqet në Facebook. Postimi i lajmeve të ndryshme në Facebook u mundësoi shumë përdoruesve të kësaj platforme të komentojnë mendimet e tyre, e që në masë të madhe përmbanin gjuhë seksiste, ofenduese, gjuhë të urrejtjes dhe ndasive politike. Instituti D4D ka bërë monitorimin e komenteve në postimet ku flitej për 11 kandidatet për Kryetare të Komunave në mostrën e gjuhës shqipe (Arbënesha Kuqi, Floretë Zejnullahu, Kaltrina Salihu, Leonora Bunjkau-Morina, Sibel Halimi, Hyrije Dobrunaj, Arta Ahmeti-Xhylani, Anduena Gralleva, Ardiana Qorraj, Mimoza Kusari-Lila, Drena Podrimcaku) duke analizuar 373 postime me gjithsej 5,567 komente.