Vullneti i grave për punë dhe biznes, përballë sfidave të stereotipeve

06.12.2022 Agnesa Sejdiu

Vazhdimisht hasim në artikuj, evente e ngjarje që organizohen me qëllim që t’i përkrahin gratë në biznes dhe t’i inkurajojnë vajzat dhe gratë që aftësitë e tyre t’i shfrytëzojnë për të nisur bizneset e tyre, që më pas të kenë mundësi të punësojnë edhe persona të tjerë, dhe të fuqizohen më shumë.

Fatmirësisht, shumë prej tyre gjejnë përkrahje nga organizata të ndryshme që ofrojnë grante të vogla sa për të nisur me diçka, të cilën pastaj ato duhet ta menaxhojnë vetë. Por, edhe nëse nuk ia dalin që të rrisin biznesin, të paktën ato mbeten gra të pavarura dhe të vetpunësuara.

Në sallonin e së martës, te organizuar nga D4D dhe mbështetur nga Ambasada Suedeze, audienca pati kënaqësinë që të dëgjojë këshilla dhe rrugëtime të ndryshme nga tri gra mjaft të suksesshme të cilat ishin pjesë e panelit: Zana Tabaku, Shqipe Breznica dhe Melita Ymeraga.

Kur je përballë këtyre grave, e sheh se sa të vullnetshme janë gratë për punë, që pavarësish vështirësive e paragjykimeve, sot mbajnë kokën lartë pas sukseseve të tyre, që skeptikët i kishin lënë të heshtur.

Por, jo të gjitha gratë në Kosovë e kanë fatin dhe vullnetin e tyre. Në fakt, për një rrugëtim të tillë, duhet të jesh goxha i fortë dhe tip që në popull quhet “i gjindshëm”, për t’ia dalë të mbijetosh, e aq më shumë, qe ta rrisësh biznesin tënd. Sidomos kur vie puna tek sterotipet.

Sipas një hulumtimi të D4D-së në vitin 2021, ekziston ndarje e thellë e profesioneve në bazë të stereotipeve me bazë gjinore. Gratë vazhdojnë të mos jenë aspak të përfaqësuara në fushën e industrisë, ndërtimtarisë dhe sektorëve të tjerë që konsiderohen profesione mashkullore. Tregu i punës vazhdon të reflektoj ndarjen e profesioneve në bazë të gjinisë, ku si rezultat vazhdon përfaqësimi i lartë i grave (49,7%) të punësuara në sektorin e arsimit, tregtisë dhe kujdesit shëndetësor, profesione të cilat konsiderohen tradicionalisht të përshtatshme për gratë.

Por jo vetëm kaq, gratw janw pre e stereotipeve tradicionale, që ende janë në mesin tonë dhe u pamundësojnë atyre një punë me orar të plotë.

Raporti i D4D-së për Rritjen e Qasjes së Grave në punësim, tregon se ndarja e përgjegjësive lidhur me angazhimet familjare dhe kujdesin ndaj familjes vazhdojnë të reflektojnë pabarazi të thellë, e cila reflekton në mundësinë e grave për qasje në punë me orar të plotë.

Statistikat tregojnë se në vitin 2020, 25% e grave punojnë me orar të pjesshëm për shkak të angazhimeve familjare në krahasim me vetëm 2.3% të burrave.

Por diçka mjaft e rëndësishme, e si grua e këtij vendi më bën mjaft krenare është se gratë janë më të arsimuara se burrat, por kjo nuk reflektohet në raport me punësimin, sipas raportit të D4D.

Në vitin 2019/2020, gratë dhe vajzat në Kosovë përfunduan arsimin universitar në Universitete publikę me diferencë 60% më shumë se burrat (rreth 65% e të diplomuarve në nivelin bachelor ishin gra) mirëpo vetëm 48.9% e grave me nivel arsimor universitar janë të punësuara në krahasim me 70.5% të burrave.

Padyshim që shumica e sfidave me të cilat gratë përballen në fuqizimin ekonomik të tyre dhe pavarësimin, janë të rrënjosura që moti, që nga familja. Një shembull konkret është numri i vogël i grave që trashëgojnë pronë nga familja.

Deri në vitin 2019 vetëm 17% e grave kishin të regjistruar pronë në emër të tyre (tokë, banesë apo kapital tjetër), rreth 18% e tyre ishin pronare të bizneseve, prej tyre vetëm 15% kanë marrë kredi bankare me qëllim të zhvillimit të bizneseve, sipas raportit të publikuar nga D4D.

Kjo nuk do të thotë se nuk mund t’i luftojmë këto padrejtësi, dhe të luftohet papunësia si dhe të ofrojmë mbështetje për gratë në boznes. Në “Studime për Strategjinë e ardhshme të punësimit” nga D4D, tregohet se janë marrë disa nisma të mira për t’i mbështetur gratë e prekura nga kriza COVID-19. Qeveria e Kosovës ka hartuar dy masa specifike në kuadër të Programit për Rimëkëmbjen Ekonomike. E para u zbatua përmes Agjencisë për Barazi Gjinore, me buxhet të planifikuar prej 2 milionë euro, ku 1 milionë euro u përdorën për të mbështetur 115 kopshte private të goditura nga kriza pandemike dhe 1 milionë euro u ndanë për mbështetjen e aktiviteteve për fuqizimin e grave në ekonomi. Me 1 milion euro, Agjencia ka mbështetur drejtpërdrejti 24 OJQ në zbatimin e projekteve që synojnë mbështetjen e pozitës socio-ekonomike të grave, dhe ka ofruar mbështetje financiare për 273 biznese.

Në një të ardhme të afërt, uroj që të gjitha gratë dhe vajzat në vend, të kenë hapësirë dhe kushte, dhe mbi të gjitha mbështetjen për t’i jetësuar ëndrrat e tyre, për biznes dhe çfarëdo që ato kanë vullnetin ta bëjnë.

Ky editorial është shkruar në kuadër të Sallonit të së martës që mbështetet nga Ambasada Suedeze në Kosovë, Community Development Fund (CDF) dhe Human Rightivisim.