• Shqip

Të Rinjtë: Mundësi apo Rrezik?

13.12.2018 Arbenita Krasniqi

“Të rinjtë janë e ardhmja jonë”, është kjo fjalia të cilën e dëgjojmë në pothuajse çdo diskutim apo debat organizuar në çdo cep të Kosovës, i cili për temë ka “Të Rinjtë e Kosovës”. Të gjithë ne duke mos e kuptuar apo pranuar faktin që të rinjtë janë e tashmja, andaj edhe shumë ide apo ëndrra të këtyre të fundit shuhen duke mos u dëgjuar asnjëherë apo edhe duke mos gjetur përkrahje nga akter apo organe vendimmarrëse në Kosovë, duke menduar që nuk është momenti i tyre akoma.

Të gjithë jemi në njohuri që Kosova ka popullsinë me më së shumti të rinjë në Evropë. Kur flasim për të rinjë, ajo që na vjen në mendje është resurset njerëzore që gëzojmë si shtet, mirëpo sa prej këtyre të rinjëve janë duke gjetur përkrahje mjaftueshëm për të bërë atë që duan dhe ashtu siç duan, duke marrë parasysh se vetëm më pak se gjysma e tyre janë të punësuar. Kjo tregon shumë për mundësitë që Kosova ofron për të rinjtë, qoftë në treg të punës, apo edhe aktivitete joformale. Nëse krahasojmë nivelin qendror me atë lokal, mund të pajtohemi në faktin që të rinjët në shumicën e rasteve përkrahen apo gjejnë mundësi shumë më pak në atë lokal, se sa në atë qendror. Ky lloj i jetës shkakton pakënaqësi tek të rinjtë, duke rritur numrin e orëve të shpenzuara në kafiteri në çdo kohë të ditës, apo edhe pjesëmarrje vetëm në aktivitete, ku ata pajisen me certifikime të ndryshme.

Në anën tjetër, çdo ditë hasim në kritika nga prindërit, mësuesit, profesorët por edhe organet më të larta vendimmarrëse për jo-gatishmërinë apo mos-interesimin e të rinjëve për të kontribuar në komunitet, qoftë në forma vullnetare apo edhe punë të rregullt. Kjo vjen si pasojë e shumë faktorëve, disa prej tyre të njohur si ekonomik, politik, social e të tjerë. Faktor këta të cilët luajnë një rol të rëndësishëm në vendimet e të rinjëve, duke ditur se në moshat e hershme, të rinjtë priren të ndikohen nga familja, shoqëria apo dhe rrethi i gjerë social. Zhvillimi i teknologjisë po ashtu ka ndikuar tek mentaliteti i tyre në formën e një mekanizmi i cili i ushqen ata për të fituar “lehtë dhe shpejtë”.

Mungesa e një ligji i cili përkrah punën praktike, aktivizmin apo edhe vullnetarizmin, ka krijuar përshtypje te këta të rinjë që nuk vlerësohen vetë-iniciativat në Kosovë, andaj edhe mendojnë për opsione të tjera, të tilla siç është edhe migrimi në shtetet e bashkimit evropian apo edhe më larg se kaq. Një numër i madh i qytetarëve e kanë lëshuar Kosovën gjatë vitit të kaluar, përfshirë këtu edhe të rinjë. Si rezultat, këta të rinjë ndeshen me shumë sfida edhe pasi që ata të riatdhesohen, duke mos u përshtatur me grup moshën në shkollë apo universitet, gjë që krijon ndjenjë të pakëndshme dhe ka një ndikim direkt në vendimin e tyre për të mos vazhduar tutje me studime.

Nëse flasim për mendimin kritik si shoqëri, qoftë në shtëpi, shkollë apo edhe vend të punës, atëherë mund të themi që është fare pak i zhvilluar duke e parë atë si “kthim të fjalës”, mos-respekt apo edhe mos-vlefshmëri të fjalës. Si rezultat i saj, shohim shumë të rinjë që kanë problem të folurit në publik apo edhe ndarje të mendimit me të tjerët edhe nëse nuk pajtohen me një qëndrim apo mendim të caktuar.

Ndërsa, kemi dëgjuar shpesh nga të rinjë derisa tregojnë për qasjen e cila i’u krijohet në një vend pune, për gjatë kohës kur ata janë vullnetar apo edhe duke mbajtur praktikën në një institucion, i cili ngjason më shumë në një shërbyes sesa në atë të rolit dhe përgjegjësisë profesionale. Krahas gjithë ngecjeve, viteve të fundit kemi qenë dëshmitar të një aktivizmi nga e ana e të rinjëve, në rajone të ndryshme të Kosovës, duke filluar nga shkollat e mesme, ku ata kanë marrë iniciativa të ndryshme duke filluar nga ato humanitare, vetëdijësuese, apo edhe menaxhuese të një çështje të caktuar brenda shkollës apo komunitetit që përfaqësojnë.

Një rol shumë të rëndësishëm në fuqizimin e të rinjëve luajnë organizatat jo-qeveritare, të cilat që nga pas lufta kanë avokuar në vullnetarizëm dhe aktivizëm të të rinjëve. Së fundmi, është lansuar një platformë online, së bashku me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, duke e draftuar edhe si pjesë të Ligjit për Fuqizimin dhe Pjesëmarrjen e Rinisë, i cili thotë “të rinjtë vullnetarisht sigurojnë kohën, punën, njohuritë dhe aftësitë e tyre pa ndonjë shpërblim ose përfitim financiar, duke i shërbyer komunitetit në dobi të shoqërisë”, në kuadër të këtij ligji, tashmë edhe vullnetarizmi njihet si përvojë pune. Kjo platformë gëzon shumë organizata të ndryshme jo-qeveritare të cilat janë anëtare, dhe që pjesë të strukturës së tyre kanë vullnetar dhe aktivista, këta të rinjë do të përfitojnë nga kjo çështje duke u vlerësuar në “letër” mirëpo edhe ngritje në karrierë.

Në përmbyllje, të rinjtë janë e tashmja, andaj edhe duhet të trajtohen si të tillë, duke e ndihmuar aktivizmin e tyre dhe duke i bërë pjesë të procesit vendimmarrës për çështje që kanë të bëjnë me vet ata. Në këtë mënyrë, ne mundësojmë një vend të përshtatshëm për krijim dhe rrijte të iniciativave. Prandaj, të rinjtë janë më shumë se numra!