• Shqip

S’ka rimëkëmbje ekonomike pa koncensus politik

07.07.2020 Majlinda Aliu

Kriza ekonomike që ka kapluar botën nga pandemia Covid19, ka rënduar edhe më tej ekonominë edhe ashtu të brishtë të Kosovës. Këtij recesioni barrë edhe më e madhe i është bërë skena politike e polarizuar skajshmërisht. Shembull ishte dështimi i Kuvendit të Kosovës me 23 qershor, për të ratifikuar marrëveshjet ndërkombëtare, që do të mundësonin marrjen e kredive nga institucionet ndërkombëtare financiare, si Banka Botërore dhe BERZH. Ne vend të kësaj, debati në Kuvendin e Kosovës u kthye sërish në një arenë të ofendimeve e qerim hesapesh mes deputetëve. Në të njëjtën ditë, nën organizim të Institutit D4D të Sallonit me temë “Sfidat pas pandemisë: Çka përfshinë dhe si do të ndikoj pakoja e re për rimëkëmbjen ekonomike?” ekspertë të ekonomisë zhvilluan një debat konstruktiv dhe ilustrativ duke dhënë vlerësim të gjendjes dhe pasojave ekonomike që ka shkaktuar koronavirusi, si dhe duke dhënë udhëzime të qarta se si të dilet nga ky recesion.

Qeveria e Kosovës ka paraparë një plan ambicioz për rritje buxhetore prej €1 miliardë për vitet 2020-2021, por një pjesë e kësaj shume varet nga miratimi i kredive ndërkombëtare, për çfarë Kosova nuk po gjen koncesus politik. Nga ky buxhet, për rimëkëmbje ekonomike parashihen të ndahen €385 milion, dhe nga kjo shumë €100 milion janë paraparë për pakon emergjente, ku mbulohen pagat dhe qiratë e bizneseve. Rënia e importeve dhe shpenzimeve të konsumit pritet që buxhetit të Kosovës për vitin 2020 t’ia minusoj €200 milion. Deficiti mund të rritet edhe më tej, nëse investimet kapitale prej €700 milion nuk realizohen në plotëni. Ndonëse Qeveria e Kosovës ende nuk i ka publikuar as programin qeveritar dhe as buxhetin e ndryshuar, këto të dhëna janë paraqitur nga ekspertët në këtë Sallon.

Varësia e madhe e ekonomisë nga konsumi, investimet publike dhe remitencat do të japin rezultate negative, vlerësuan ekspertët e ekonomisë gjatë prezantimeve të tyre, gjerësa projeksionet e Bankës Botërore tregojnë për një rënie ekonomike prej 4%.

“Rihapja e ekonomisë është kthimi në realitet por jo në normalitet, kjo situatë është e panjohur për bizneset,” u tha në këtë diskutim. Sipas ekspertëve të ekonomisë, nëse nuk ka masa adekuate, mund të humbim 40-50 mijë vende pune, dhe kështu të rritet potenciali për trazira sociale.

Programi i Qeverisë 2020-2023, ka të përfshirë edhe rimëkëmbjen ekonomike pas pandemisë. Janë një sërë masash që qeveria parasheh të ndërmarr, në përpjekje për ta ndihmuar ekonominë.

Subvencionimi i pagave, shtyrja e tatimeve për biznese, mbulimi i 5% i kontributit të punëdhënësve për punëtorë, pushimet tatimore, subvencionimi i pagës së punëtorëve të rinj, dhënia e mundësisë për tërheqje 10% të mjeteve nga Trusti për të përmbushur kërkesën agregate, janë disa nga masat që parasheh qeveria, dhe për panelistët këto ndërhyrje janë tërëndësishme për rikuperim të ekonomisë.

Rritja e mbulueshmërisë së kredive të reja përmes Fondit për Garantimin e Kredive, dhe riprogramimi i kredive bankare ekzistuese, ku koston e riprogramimit e merr Qeveria, sipas ekonomistëve pjesëmarrës në këtë Sallon, janë ndërhyrje tejet të rëndësishme. Por ata shtojnë se FGK duhet të rritet por për këtë buxheti varet nga miratimi i kredive ndërkombëtar.

€25 milionë që do të merreshin nga Banka Botërore, do të zhbllokonin €100 milionë nga bankat komerciale, për ta injektuar ekonominë, thonë ekspertët.

Pakoja e rimëkëmbjes ekonomike nuk ka afate strikte të zbatimit, siç e kishte pakoja emergjente, e cila ishte frymë artificiale për bizneset. Por, ekspertët vlerësuan se pakoja emergjente e ka humbur analogjinë meqë ka pasur vonesa të mëdha në bartje të mjeteve tek bizneset. Në këtë pikë pati replikim ku një nga ekonomistet më përvojë instititucionale  dha sqarime se zvarritja në zbatim të pakos emergjente, ka ndodhur për shkak të mos rishikimit buxhetor. Për më tepër ligji i financave publike e ka pamundësuar bartjen e mjeteve nga një linjë buxhetore në tjetrën. Për vonesat në zbatim të pakos emergjente, pati reagime edhe nga pjesëmarrësit në këtë diskutim të hapur. Nga panelistët dhe të pranishmit u dhanë kritika mbi procedurat byrokratike gjatë procesit të aplikimit për pakon emergjente.

Një tjetër temë që nxiti debat ishte ajo e ofrimit të mundësisë për tërheqje të 10% të fondit nga Trusti pensional, derisa njëri nga ekspertët e ekonomisë e konsideroi këtë si mundësi të mirë për të rritur qarkullimin, pjesëmarrësit ngritën dilemën nëse këto mjete do të përdoreshin për pushime jashtë vendit, duke ia humbur kështu kuptimin kësaj iniciative. Sugjerimi ishte se duhet parë mundësitë, por një nga to mund të jetë lëshimi i këtyre mjeteve përmes kuponëve digjital duke detyruar qytetarët t’i shpenzojnë të hollat brenda Kosovës. Duke qenë se likuiditeti në treg mungon, u vlerësua se ky do të ishte një infuzion për ekonominë.

Derisa temë debati ishte nevoja e rritjes së të hyrave, ku kreditë ndërkombëtare janë të pashmangshme, ekspertët pjesëmarrës në këtë Sallon, ngritën si sheqësim trendin e rritjes së shpejt të borxhit publik. Në këtë peridhë të vështirë për ekonominë, ka qenë përparësi e madhe që Kosova ka pasur borxhin publik në nivel të ulët, u vlerësua nga ta. “Duhet të jemi koshientë në rritjen e borxhit publik, meqë në të ardhmen do të ishte vështirë të menaxhohej borxhi, u tha në këtë debat.

Borxhi publik para pandemisë ka qenë 17% ndërsa para disa vitesh ka qenë 7%. Tavani i borxhit publik ishte vendosur në 40% ndërsa si pasojë e pandemisë është kërkuar që të rritet në 50%. Në anën tjetër, deficiti buxhetor pritet të arrijë në 9%.

Sipas ekspertëve, pakoja e rimëkëmbjes ekonomike parasheh edhe transformim të ekonomisë. Mjetet e parapara për këtë pako, ndërlidhen me likuiditetin e kompanive, si dhe për projekte të reja biznesore. Panelistët rekomanduan që orientimi i pakos së rimëkëmbjes ekonomike të mos jetë afatshkurtë që përkthehet në konsum. Gjithashtu kërkuan gjithëpërfshirje gjatë dizajnimit të politikave të tilla të rëndësisë jetike për ekonominë. Riaktivizimi i Këshillit Ekonomik Kombëtar do të ishte i mirëseardhur në këtë proces.