• Shqip

Rinia në vendimmarrje – Sfidat e gjithëpërfshirjes gjatë COVID-19 në Komunën e Ferizajit

18.12.2020 Lorita Rama

Aktivizmi i rinisë është pjesëmarrja e rinisë në organizimin e aktiviteteve në komunitetin e tyre për të bërë ndryshime në të mirë të komunitetit. Rëndësia e këtij aktivizmi nuk ka ngelur pa u vërejtur edhe gjatë kohës së pandemisë. Megjithatë, për shkak të rrethanave të krijuara nga virusi COVID-19, aktivizmi gjatë pandemisë ka pësuar modifikim, në aspektin e pjesëmarrjes dhe gjithëpërfshirjes Megjithë sfidat, rinia kosovare nuk ka hezituar të jetë aktive edhe gjatë pandemisë.

Me këtë pajtohen edhe përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile duke shtuar problemet dhe sfidat edhe nëpër shkolla. Njëherazi, është përgëzuar rinia ferizajase për gatishmërinë dhe kontributin e tyre nëpër aktivitete, duke shtuar që ata janë gjithmonë të gatshëm të marrin pjesë pa hezitim nëpër projekte të ndryshme në të cilat ftohen. Një këshillë që u është dhënë këtyre të rinjve është që të jenë më kritikë ndaj rrethanave dhe të kërkojnë më shumë të drejtat e tyre, e madje edhe të jenë më kryengritës. Gjithashtu, është theksuar se do të vlerësohej më shumë angazhimi i të rinjve në të gjitha fushat tjera, jo vetëm në politike. Rinia me të vërtetë ka potencial të përdor zërin e tyre për të bërë ndryshime dhe duhet ta përdorë atë.

Në sfidat e përfshirjes së rinisë gjatë pandemisë, është potencuar se shumica e takimeve janë mbajtur në mënyrë virtuale dhe se të gjitha aktivitetet kanë shmangur grumbullimet e njerëzve. Është kritikuar gjithashtu fenomeni “trampolinë politike”. Rinia po përdorin aktivitetet vullnetare si mundësi për t’u kyçur në politikë, praktikë kjo që po ndodh shpesh kohëve të fundit. Bëhet apel që kjo metodë të reduktohet e madje të evitohet. Megjithatë, argumentohet se në bazë të rregullores nuk lejohet që pjesëtarët e kuvendit të të rinjve të jenë pjesë e subjekteve politike.

Temë diskutimi gjithashtu ishin edhe mungesa e informacionit, mungesa e një qendre rinore dhe mungesa e buxhetit. Sa i përket mungesës së hapësirave dhe qendrës rinore, vërehet mungesa e tyre mirëpo kinemaja dhe qendra rinore kanë filluar ndërtimin qysh moti dhe pritet të krijojnë hapësirë më shumë për të rinjtë. Për më tepër, sfidë kyçe janë edhe hapësirat publike ku mund të zhvillohen aktivitetet. Gjithashtu, ka nevojë për më shumë buxhet sepse nuk mungojnë idetë kreative, mirëpo buxheti i limituar nuk lejon përkrahjen e të gjitha ideve. Komuna është duke punuar në krijimin e një buxheti më të madh për të rinjtë ferizajas. Theksohet se lokomotiva e këtyre ideve janë vetë të rinjtë vullnetarë të cilët i bëjnë të mundura këto projekte.

Kur bie fjala tek vullnetarët, grupi i vullnetarëve është formuar qysh moti në Ferizaj. Tash e disa vite ndahet edhe shpërblimi “Vullnetari i Vitit” i cili i dhurohet personit i cili ka më së shumti orë vullnetare dhe ka treguar interesim dhe angazhim të vazhdueshëm në vullnetarizëm. Vullnetarët janë bërthama e e një shoqërie të shëndetshme, dhe është ndjenjë e mirë kur kontributi i tyre vlerësohet.

Çështje tjetër e ngritur gjatë diskutimit ishte qasshmëria e të rinjve nëpër takime. Edhe pse takimet mbahen kryesisht me koordinatorë të organizatave, vazhdimisht bëhen përpjekje që kërkesat e rinisë të shqyrtohen dhe të përgjigjen. Për më tepër, përfshirja e organizatave nuk është e mjaftueshme apo e kënaqshme nga ana e rinisë dhe kërkohet më shumë angazhim nga ana e këtyre organizatave. Gjithashtu, shpesh herë në takimet e njëjta vijojnë të njejtit njerëz duke mos u zgjeruar tek të rinj tjerë. Andaj, bëhet thirrje që rinia të jenë më aktivë  në këtë aspect dhe të marrin pjesë në aktivetete të tilla sa më shumë.

Mungesa e infrastrukturës është sfidë në vete. Sa i përket takimeve, shpeshherë ndodh që takimet të zhvillohen nëpër kafene apo vende tjera, e që lind pyetja sa është e pranueshme kjo gjë.  Gjithsesi, sqarohet se shpeshherë takimet kanë karakter joformal dhe ndodhin pas orës 4, pra në kohë që i përshtatet individëve. Edhe pse shpeshherë është përdorur zyra e Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport si vend-takim, nuk kanë munguar edhe takimet në lokacione tjera ku është parë më e përshtatshme.  Një ide e shpalosur është formimi i qendrave të karrierës nëpër shkolla. Një qendër e tillë do të orientonte shumë nxënës dhe të drejtonte ata tek vendet përkatëse qoftë për vullnetarizëm apo punë tjera. Krahas kësaj sfide vërehet dhe një sfidë tjetër rreth  informimit mbi aktivitetet, konkurset dhe garat të ndryshme. Pra, metoda e informimit është e mangët dhe pasive. Kërkohet informim më i saktë dhe më efikas.

Në përfundim të sallonit u pa se pandemia ka ndikuar tej mase në pjesëmarrjen e të rinjve në vendimmarrje. Sfidat që u cekën nëpër të cilat rinia po kalon duket të kenë zanafillë të kahmotshme. Mungesa e Qendrës së Kulturës apo zyrave të Këshillit të Veprimit Rinor Lokal ku të rinjtë takoheshin, mungesa e informacionit mbi aktivitetet dhe kyçja në dokumentet publike, mungesa e qendrave të karrierës nëpër shkolla si dhe mungesa e takimeve të të rinjve me Drejtoreshën e Drejtorisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Kryetarin e Komunës më shpesh dhe jo vetëm gjatë kohës së fushatave elektorale, duken të jenë disa nga problematikat që e dëmtojnë më së shumti rininë e qytetit të Ferizajit.