• Shqip

Reformat në sistemin e drejtësisë: Fasadimi i problemeve thelbësore

24.12.2019 Arbëresha Loxha

Republika e Kosovës vazhdon të përballet me sfida serioze në rrugën shtetndërtuese dhe integruese drejt Bashkimin Evropian (BE). Qeveritë e pasluftës, përfshirë dhe qeverinë në dorëheqje (e kaluar) kanë nisur një sërë procesesh reformuese të cilat kanë dështuar të adresojnë thelbin e problemeve. Për shkak të natyrës së shkrimit, fokusi do të jetë në sistemin e drejtësisë por që argumentet e trajtuara vlejnë për shumicën, për të mos thënë të gjitha proceset reformuese të zhvilluar në Kosovë.

Sektori i drejtësisë është një sektor i cili është karakterizuar me cikël të pandalshëm të reformave. Si rezultat i këtij cikli reformash, gjithmonë kanë qenë ndryshimet legjislative, krijimi i mekanizmave të rinjë dhe ri-aranzhimi i kompetencave institucionale. Përkundër të gjitha ndryshimeve të njëpasnjëshme, investimeve të shumta vendore e ndërkombëtare në këtë sistem, e së fundmi, edhe rritjes së pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve, sistemi i drejtësisë në Kosovë ka mangësi serioze në lidhje me cilësinë e tij në sigurimin e drejtësisë, pavarësisë dhe paanshmërisë nga aktorët politikë. Më konkretisht, si rezultat i një studimi të Grupit për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), qytetarët e Kosovës mendojnë se institucionet e drejtësisë nuk i trajtojnë ata në mënyrë të barabartë. Rezultatet e anketave tregojnë se rreth 65.2% e qytetarëve besojnë se personat me ndikim politik kanë më pak gjasa të ndëshkohen për shkelje të ligjit, ndërsa vetëm 17.5% prej të anketuarve mendojnë se pozicioni apo influenca politike nuk krijon pabarazi në zbatimin e ligjit.

Për më tepër, gjykatat vazhdojnë të karakterizohen me mungesë të efikasitetit, të kualitetit në ciklin e vendimmarrjes si dhe mungesës së besueshmërisë së publikut në vendimmarrjen e tyre. Mungesa e vendimeve gjyqësore të prera për figurat e larta publike e politike të cilat janë hetuar ose janë publikisht të denoncuar si të përfshirë në korrupsion apo krim serioz, mbeten të pa adresuara në thelb nga Këshilli Prokurorial dhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës. Në anën tjetër, kultura e mos-ndëshkueshmërisë dhe mungesa e përgjegjësisë për punën vazhdojnë të karakterizojnë shumë gjyqtarë dhe prokurorë, por jo vetëm.

GLPS dhe akterë tjerë kanë ngritur vazhdimisht këto mangësi në sistemin e drejtësisë si një arsye e mjaftueshme që kërkon një reformë thelbësore në sistem. Qeveria e kalur nuk ka bërë asnjë hap konkret në drejtim të një reforme përmbajtësore në sektorin e sundimit të ligjit në vitin 2018 dhe 2019. Edhe pse Qeveria kishte planifikuar një ‘kuazi’ reformë përmes të ashtuquajturit “Rishikimi funksional i sektorit të drejtësisë”, një gjë e tillë nuk ka përfunduar ende dhe as nuk ka dhënë dëshmi të një përkushtimi minimal të asaj që duhet arritur. Megjithëse disa nga ato gjetje të procesit të rishikimit janë relevante (kanë për qëllim përmirësimin e aspekteve teknike në funksionimin e gjykatave dhe ndjekjes penale), ky process kryesisht ka për qëllim të ruaj status quo-në, dhe nuk shtron pyetje mbi aspektet e domosdoshme të integritetit personal, moralin dhe vlerat e njerëzve që mbajnë poste të larta në zinxhirin e sistemit të drejtësisë.

Ky proces thjesht fasadon problemet thelbësore duke propozuar çështje dytësore dhe duke i vendosur ato në nivelin e përparësive kyçe; strategjia e tillë e Ministrisë së Drejtësisë (MD) në mënyrë koherente i bën jehonë mungesës së vullnetit në nivelin politik për ta bërë sistemin e drejtësisë vërtet më të fortë, dhe për të paguar një kosto të lartë politike për reformën e tij.

Thënë këtë, mungesa e adresimit në thelb të problemeve në sistemin e drejtësisë, por jo vetëm, ka disa emërues të përbashkët:

Mungesa e vullnetit politik

Përtej sektorit të drejtësisë, në Kosovë në përgjithësi nuk ka ekzistuar as përkushtimi minimal nga Qeveritë e kaluara dhe akterëve të tjerë politik për të zbatuar në mënyrë solide reformat e nevojshme. Përkundër faktit që kanë harxhuar energji të jashtëzakonshme (por edhe fonde) në procese reformuese sipërfaqësore të cilat kanë dështuar të adresojnë problemet kryesore të këtij sistemi. Për më tepër, koalicionet qeverisëse janë ndërtuar mbi pazare politike ku interesat partiake kanë dominuar mbi ato shtetërore. Andaj, nuk ka si të pritet që reformimi i sistemit të drejtësisë dhe vendosja e rendit dhe ligjit të ishin njëmend prioritete të qeverisë.

Vlen të theksohet se shumë reforma janë ndërmarrë sepse kanë dalur si obligim në kuadër të procesit integrues në BE dhe asistencës nga projekte të ndryshme dhe jo si iniciativë e qeverive të kaluara.

 Reforma ad-hoc dhe sipërfaqësore

Të gjitha proceset reformuese janë karakterizuar me ndryshime kozmetike dhe jo me ndryshime thelbësore, të cilat do të adresonin problemet në thellësi. Partitë politike, rrjedhimisht koalicionet qeverisëse nuk kanë qeverisur mbi programe qeverisëse (të mirëfillta) dhe çfarëdo reforme e cila është ndërmarrë ka qenë ose ad-hoc ose për përfitime të kalkuluara politike. Për më tepër, shumica e reformave nuk janë dizajnuar mbi bazën e vlerësimeve të thella të cilat kanë identifikuar nevojat specifike. Proceset janë udhëhequr kryesisht në baza ad-hoc dhe gjithashtu pa koordinim të mirëfillt të të gjithë akterëve.

Për të ilustruar këtë po përmend ligjet për Këshillin Prokurorial dhe atë Gjyqësor të cilat që nga viti 2007 i janë nënshtruar ndryshimeve e amandamentimeve derisa këtë vit u miratuan dy ligje të reja. Të gjitha proceset e amandamentimit të cilat erdhen si rrjedhojë e reformave të ndryshme kanë ndodhur pa asnjë parashikueshmëri nëse për të njejtat:

  • kanë qenë të domosdoshme të amadamentohen;
  • nëse do të adresonin problemet ekzistuese të sistemit;
  • dhe për më tepër nuk janë realizuar bazuar në plane të mirëfillta të implementimit.

Me pak fjalë, proceset reformuese kanë qenë pista në të cilat ministrat apo qeveritë kanë testuar mekanizma të ndryshëm dhe së dyti kanë qenë mjete përmes të cilave partitë e koalicionit apo partia e ministrit përkatës e ka shfrytëzuar për PR partiak.

Rruga përpara

Të gjitha shqetësimet e adresuara më lartë tregojnë se Kosova ka dështuar të instaloj një sistem të qëndrueshëm të politikbërjes. Për më tepër, reformat nuk kanë pasur vazhdimësi nga njëri mandat qeverisës në tjetrin, duke bërë që proceset reformuese të mos prodhojnë rezultate konkrete. Kosova ka nevojë për ligje të qëndrueshme dhe mekanizma funksional për monitorimin e implementimit të tyre. Reforma më qenësore që sistemi i drejtësisë duhet t’i nënshtrohet është kontrolli i integritetit, profesionalizmit dhe pastërtisë së figurës së gjyqtarëve dhe prokurorëve që aktualisht janë pjesë e sistemit. Kjo mbetet e vetmja formë për të nxjerrë jashtë sistemit personat që kanë të kaluar të dyshimtë, që kanë afërsi me qarqet e korruptuara apo janë direkt të korruptuar, dhe të cilët nuk janë mjaftueshëm profesional dhe të arsyetuar me vendimet e tyre. Rrjedhimisht, një proces i Vetingut është i pashmangshëm dhe një process i tillë në sistemin e drejtësisë duhet të jetë një reformë e thellë, e cila nuk ushtrohet vetëm një herë por vendoset një sistem i përhershëm i mbikëqyrjes së ruajtjes dhe respektimit të standardeve të tilla në vazhdimësi.

Autore: Arbëresha Loxha, Drejtore Ekzekutive e Grupit për Studime Juridike dhe Politike, GLPS

Ky shkrim është pjesë e projektit “Reformat institucionale dhe legjitimiteti demokratik në Kosovë, Shqipëri dhe Mal të Zi”, i implementuar nga Demokraci për Zhvillim, i cili mbështetet nga Fondi Evropian për Ballkanin.