• Shqip

Qeverisja e mirë dhe Rinia…

08.03.2019

Si ishte, si është…?

Të rinjtë në momente të caktuara të historisë së vonshme, por edhe të hershme të Kosovës, kanë ditur të organizohen dhe t’i prijnë proceseve që kanë lënë gjurmë të rëndësishme në shoqëri. Rinia ka qenë e mishëruar me idealin e ndryshimit të rrethanave politike e ekonomike, duke i prirë proceseve në të gjitha aspektet.

Në Kosovë, u prinë proceseve më të rëndësishme që i njeh historia e re, prej protestave për të drejta me të mëdha dhe përdorim të Flamurit shqiptarë në vitet e 60ta; kërkesa për Universitet dhe shkollim dinjitoz; protesta e vitit 81 për të drejta të barabarta me kombet e tjera në ish Jugosllavi dhe kërkesa për Republikë; protestat e viteve 90ta për liri, pavarësi e deri tek protestat për një shtet demokratik dhe funksional, të zhvilluar gjatë viteve të fundit.

Pra, rinia nuk ishte vetëm në krye të të gjitha organizimeve shoqërore, por ishte shpirti dhe motivi i çdo lëvizjeje, paqësore apo edhe të armatosur. Ishte aty dhe u priu proceseve.

Si është sot kjo energji që dikur i ka ndryshuar pushtetet dhe ka trazuar edhe diktator? Sot, me shumë në ndonjë aktivitet të shtyrë nga grupacionet politike, zakonisht bartës të postërëve, rinia kosovare është pllakosur nga një gjumë i thellë i neglizhencës, mos reagimit, heshtjes dhe lejimit të rrjedhjës së ngjarjeve, pa qenë pjesë e tyre, ndonëse e ardhmja e tyre preket mu nga këto ngjarje.

Rinia sot i është nënshtruar një procesi kulturor që nuk përkon me frymën dhe energjinë që ka. Ajo nuk është e zëshme në kërkesat e saja për përmirësimin e kushteve edukativo arsimore, siç ishte dikur në situata shumë herë me të renda dhe me të rrezikshme për jetën.  Ndonëse e ka kapacitetin e saj intelektual dhe veprues, ajo vazhdon të mbetet pasive, diku me fajin e saj, në iniciativat për ndryshim të rrjedhjes se ngjarjeve ekonomike, politike dhe sociale brenda ambientit ku vepron.

Sot përveç ndonjë iniciative aty këtu dhe që shuhet ashtu siç ka filluar rinia kosovar është pasivizuar dhe mbyllur brenda komoditetit që jep jeta fejsbukjane dhe e rrjeteve të tjera sociale. Aty është mbyllur hermetikisht duke reaguar ndaj veprimeve, por jo duke qenë nxitëse e masave preventive që procese negative të ndalohen dhe të mos merremi me pasojat  dhe shkaqet. Të mbyllurit hermetikisht brenda rrjeteve sociale dhe pjesa tjetër që ëndërr e kanë ikjen nga vendi orë e para, janë dy kategoritë që sot e prezantojnë rininë kosovare. Sot ajo është bërë një spektatore e zhvillimeve dhe absorbuese e saj pa ndonjë kundër reagim.

Shkaqet…?

Shoqëria kosovar gjatë këtyre viteve të fundit si rezultat i hapjes se vendit me boten, i globalizimit dhe zhvillimit të hovshëm të teknologjisë dhe mundësive që ka afruar ky zhvillim, është përballur me një zhvillim sociologjik dhe psikologjik, që në raste të caktuara ka qenë vështirë i absorbueshëm për të, veçmas për rininë, që është grupi me kërkues i një shoqërie.

Në një anë duke qenë me kërkuese dhe më insistuese për t’u përshtatur me atë çka ofron globalizimi dhe në anën tjetër duke u përballur me mos kapacitetin e shoqërisë për t’iu përgjigjur kërkesave të tyre, rinia është futur në një rreth vicioz të dëshpërimit dhe mos reagimit.

Liria dhe e drejta për tu ndjerë i lirë brenda ambientit ku vepron, është një gjë që në raste të caktuar është keqpërdor dhe është venë në funksion të mos zhvillimit të shoqërisë, por vetëm të një grupi të margjinalizuar të njerëzve. Kosova ende nuk po arrin të bëjë kthese në zhvillimin ekonomik. Shqetësues është fakti që një pjesë bukur e madhe e rinisë gëzojnë një potencial profesional e akademik, dhe ende kanë mungesë të punësimit.

Krahas kësaj kemi një proces të edukimit që ngjashëm si ai i zhvillimit ekonomik, nuk po arrin të shpërthej dhe të jetë jo vetëm vend grumbullues i rinisë pasive, por të jetë çerdhe e shkencës dhe edukimit të mirëfilltë bashkëkohorë.

Pasojat…

Sistemi i krijuar pas luftës në Kosovë nuk ka arritur që të krijoj kushte, mundësi dhe stabilitet në rrafshin ekonomik, por as në atë politikë. Sistemi nuk u ka dhënë mundësi te rinjve të shpërfaqin vlerat e tyre profesionale dhe akademike.

Anketat e ndryshme të zhvilluar kohëve të fundit tregojnë se me shumë së gjysma e kosovarëve të nen moshën 30 vjeçar synim parësor kanë ikjen nga Kosova dhe punësimin e tyre nëpër vende të ndryshme të Evropës.

Ikja e kësaj shtrese të popullsisë, veçmas e atyre me përgatitje akademike, në vend do të reflektohet përmes mungesës se dinamikes dhe elitave intelektuale. Kjo do të reflektoj në një stagmin të zhvillimit ekonomik, për mos me thënë në një përkeqësim edhe më të gjendjes ekonomike dhe sociale.

E ardhmja dhe aktivizimi

Të rinjtë e kanë fuqinë me të madhe për të bëre ndryshim. Të rinjtë duhet të angazhohen dhe me qenë me kërkuese në realizimin e kërkesave të tyre. Duhet t’i njohin  të drejtat e tyre dhe përmes kësaj të rrisim mendimin tyre kritik. Nuk është vonë që rinia të përfshihet në vendimmarrje. Një prej fajtorëve është edhe meqë në shumë raste nuk po tregohet kërkuese. Kombinimi në mes të vetiniciativës dhe përkrahjes që këta duhet ta gjejnë tek institucionet është gjeja me e duhur që të rinjtë të kyçen me shumë në jetën shoqërore.

Institucione e të gjitha niveleve duhet të angazhohen dhe përveç hartimit të politikave, ta bëjmë zbatimin e tyre në praktikë. Është në përgjegjësinë e të gjithë neve, veçmas institucioneve që ta rikthejmë besimin e rinisë në shtet, në institucione. Ta bëjmë këtë duke përkrahur dhe nxitur të rinjtë të jenë pjesë e proceseve, ta ndiejnë pronësinë e çdo lloji të vendimmarrjes. E kjo arrihet përmes një komunikimi të drejtpërdrejt në mes të institucioneve dhe rinisë.

Jetojmë në kohën e globalizimit dhe ky është një proces që nuk mund ta ndal askush, andaj sa me shpejt dhe me mirë i qasemi kësaj sfide të kohërave moderne, e ardhmja e jonë do të jetë me e ndritur. Në këtë pikë përgjegjësia me e madh i bie rinisë, meqë ajo e ka energjinë, intelektin dhe guximin që gjërat ti shtyj përpara, dhe këtë duhet ta bëjë orë e parë.