• Shqip

Qeveria Kurti përgjatë vitit 2021: Arritjet dhe Ngecjet

21.12.2021 Muhamet Hajrullahu

Viti 2021 ishte vit i zgjedhjeve në Kosovë. Fillimisht u mbajtën zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në muajin shkurt dhe në pushtet erdhi Lëvizja Vetëvendosje. Në ndërkohë sapo ka përfunduar procesi i rregullt i zgjedhjeve lokale në vend.

Ndryshe nga zgjedhjet parlamentare ku partia e kryeministrit Albin Kurti mori shumicën për të qeverisur në partneritet me Listën Guxo dhe partnerët e komuniteteve jo shumicë në Kosovë, kështu nuk ndodhi edhe me rezultatet në zgjedhjet lokale ku Vetëvendosja fitoi vetëm në katër komuna në nivel vendi.

Përveç zgjedhjeve, ky vit është karakterizuar edhe me çështjen e menaxhimit të pandemisë dhe rimëkëmbjes ekonomike, dialogun me Serbinë si dhe procesin e Vettingut në sistemin e drejtësisë, me ç’rast për gati dhjetë muaj qeverisja e Kurtit mori kritika të shumta për këto tema.

Po ashtu edhe mos transparenca e qeverisjes është njëri ndër pikat ku opozita ka kritikuar më së shumti qeverinë e udhëhequr nga Albin Kurti.

Por, ndryshe nga opozita, qeveria dhe zyrtarët e Lëvizjes Vetëvendosje thonë se janë arritur objektivat e vaksinimit të paraparë edhe menaxhimi i pandemisë ka pasur sukses. Gjithashtu edhe në Parlament pozita ka përmendur gjatë kësaj periudhe si sukses edhe arritjen e vaksinimit të 60% të popullatës në Kosovë, pakot e rimëkëmbjes, nisjen e procesit të vetting-ut, luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar si dhe ç’kapjen e ndërmarrjeve publike.

Madje zyrtarët e LVV-së kanë thënë se kjo qeveri është dashtë të bëjë skenime e analiza në të gjithë sektorët të cilët sipas tyre janë keq qeverisur gjatë këtyre viteve.  Në anën tjetër partitë politike opozitare e shohin qeverisjen e deritashme kryesisht me tone negative duke e quajtur ‘qeveri praktikantësh’. Madje sipas tyre as në aspektin ekzekutiv e as legjislativ ku LVV ka shumicën nuk ka arritur të shtyjë para tema të rëndësisë nacionale.

Të gjitha diskutimet në Parlament dhe në diskursin publik mes pozitës dhe opozitës kanë vazhduar me kritika për agresivitet nga ana qeverisë në sjellje me opozitën, sindikatat, shoqërinë civile dhe mediat. Natyrisht këto konstatime partia në pushtet Lëvizja Vetëvendosje nuk i ka pranuar duke thënë se ngecjet 20 vjeçare të ish partive qeverisëse nuk mund t’i rregulloj Qeveria Kurti brenda një viti.

Opozita në përgjithësi thotë se Kurti dhe LVV janë shumë armiqësor ndaj të gjitha partive që kanë qeverisur deri tash dhe se sipas tyre kjo qasje duhet të ndryshojë sepse Kosova është e të gjithëve pa dallim. Në disa tema të mëdha si votimi i marrëveshjeve ndërkombëtare nga deputetët e të gjitha partive parlamentare janë vlerësuar si pozitave nga përfaqësues të shoqërisë civile të cilët monitorojnë punën e Kuvendit dhe Qeverisë së Kosovës.

Gjithashtu shoqëria civile ka vlerësuar edhe qasjen e përbashkët të Kuvendit e partive të përfaqësuara në komisionin për përzgjedhjen e intervistimin e anëtarëve të bordit të RTK-së deri në votimin e tyre. Ky model është përmendur si diçka që mund të zhvillohet si bashkëpunim për tema të mëdha të interesit nacional dhe të mos ndodh një ri-kapje e tjetër bordeve të ndërmarrjeve publike dhe agjencive të pavarura.