• Shqip

Praktikimi i religjioneve në shoqëri dhe ndikimi mbi politikat e shtetit

24.08.2021 Skender Perteshi

Fetë Abrahamike (Islami, Krisherimi e Judaizmi) janë konzervatore në vetvete  dhe kryesisht bijnë në kundërshtim me vlerat e shtetit liberal e sekular. Vlerat liberale të shtetit laik  si dhe ndikimet potenciale të fesë në të, kanë ndezur debate dhe diskutime të ashpra nëpër botë. Me transformimin ekonomik e shoqëror të shteteve, këto debate deri në një masë janë zgjidhur,  duke ndarë mjaft qartë kompetencat e shtetit sekular si dhe çështjeve fetare, pa e ndikuar njëra tjetrën, por duke bashkëpunuar ndërmjet vete.

Edhe Kosova si shtet laik sipas kushtetutës, është përcjellur nga ky debat i cili  ka qenë i pa argumentuar mirë. Debatet dhe kritikat rreth sekularizmit dhe ndikimit të fesë në shtet janë zhvilluar prej njerëzve që nuk kanë qenë profesionistë të kësaj fushe, dhe prej atyre që kanë qenë kunder feve, e të cilët kanë tentuar të identifikohen si “sekular”.

Sekularizmi, rendi juridik i shtetit dhe çështjet fetare janë mjaft mirë të rregulluara në kontekstin e Kosovës dhe legjislacionin e saj. Në vendin tonë, procesi i qeverisjes dhe çështjet fetare janë mjaft mirë të ndara, dhe kanë ndërvepruar mirë në praktikë deri më tani. Kushtetuta e Republikës së Kosovës, neni 8, thekson se “Republika e Kosovës është shtet laik dhe neutral në çështje të besimeve fetare”, kurse në nenin 9 të saj theksohet se “Republika e Kosovës siguron ruajtjen dhe mbrojtjen e trashëgimisë së vet kuturore dhe fetare”.

Kjo çështje është e rregulluar edhe në ligjin mbi liritë fetare në Kosovë, i cili vlerëson lirinë e besimit si një ndër të drejtat themelore të njeriut, të drejta të mbrojtur ndërkombëtarisht. Pra, institucionet e vendit nëpërmjet Kushtetutës, Ligjit, si dhe mekanizmave ligj-zbatuese, sigurojnë, dhe krijojnë një ambient të favorshëm për të ushtruar lirinë e besimit dhe praktikimit të fesë, pa marrë parasysh përkatësinë fetare, racore apo etnike.

Sipas legjislacionit në fuqi, komunitetet fetare në Kosovë kanë të drejtën e rregullimit të brendshëm të tyre, hapjen e shkollave fetare, dhe organizimin e jetës fetare, deri në atë masë që nuk e prek rendin juridik të vendit.

Edhe në qarqet akademike edhe institutet hulumtuese (think tanks) sekularizmi përkufizohet si ndarje e fesë nga punët e shtetit, apo ndarja e çeshtjeve fetare prej atyre shtetërore. Pra, ky përkufizim përcakton se qeverisja e shtetit duhet të jetë e ndarë apo neutrale nga çështjet fetare. Kjo nuk e ndalon bashkëpunimin ndërmjet shtetit dhe institucioneve fetare për të mirën e përbashkët.

Në vendet e zhvilluara, sidomos në Evropën Perëndimore dhe ShBA, sekularizmi nënkuptohet ashtu edhe si është përkufizuar në këtë tekst pra, si ndarje e çështjeve fetare prej qeverisjes apo punëve të shtetit. Ndërsa në vendet në zhvillim, siç është rasti i Kosovës, sekularizmi është tentuar të interpretohet si një lloj “religjioni i ri”. Pra, nga njerëzit e këtyre vendeve sekularizmi është parë si distancim i tyre personal prej fesë, dhe jo si ndarje e punëve të shtetit me ato fetare. Në Kosovë, elitat politike, liderët institucional e mediat, shpesh duke mos e njohur sekularizmin dhe çështjet fetare, si dhe duke tentuar të fshehen pas komplekseve të tyre fetare (kryesisht Islame) apo të perkatësisë fetare të tyre dhe vendit të tyre, janë munduar që sekularizmin ta identifikojnë si ateizëm, por të cilët ënë fakt kanë qenë anti-teist. Pra, duke u thirrur në emër të sekularizmit, kanë sulmuar komunitetet praktikuese fetare, që ka ndikuar në polarizimin e shoqërisë së vendit.

Historikisht tek shqiptarët në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni të Veriut e vende tjera në rajon e botë, identiteti kombëtar ka qenë më i theksuar dhe ka pasur rol primar, në krahasim me identitetin fetar. Pra, për shqiptarët ka qenë shumë e rëndësishme ruajtja dhe forcimi i identitetit kombëtar, sepse vetëm kështu, shqiptarët kanë arritur që t’u rezistojnë sfidave dhe konflikteve me të cilat janë përballur përgjatë historisë, sidomos  gjatë kohës së pushtimit serb dhe atij osman. Pra, identiteti dhe kauza kombëtare, i kanë mbajtur të bashkuar shqiptarët drejt arritjes së qëllimeve dhe sukseseve të tyre politike të cilat rezultuan me krijimin e shteteve të tyre kombëtare. Pikërisht, orientimi dhe identiteti kombëtar si faktor kyç unifikues tek shqiptarët, ka qenë çelësi kryesor që tek ne të bashkëjetojnë shumë mirë të gjitha komunitetet fetare e që është rast unik në botë.

Gjatë diskutimeve ndërmjet panelit të përbërë prej përfaqësuesve të komuniteteve fetare  dhe analistëve u theksua se identitetet fetare janë mjaftë mirë të mishëruara me kulturën, traditën, zakonet dhe identitetin kombëtar në Kosovë. Ky model i mishërimit të kombit si identitet primar, dhe fesë, ka qenë faktori kyç që ka parandaluar përhapjen e formave të ndryshme të ekstremizmit e radikalizmit në Kosovë. Kjo poashtu ka ruajtur kohezionin social dhe ka forcuar tolerancën fetare e etnike në vend, një model që nuk shihet shpeshë në botë, dhe i cili duhet të ruhet e forcohet tutje.

Në panel u theksua se praktikuesit aktiv fetar në Kosovë, përballen me probleme nga më të ndryshmet  të cilat kanë ngritur debat të madh shoqëror. Ndërtimi i Xhamisë së Madhe në Prishtinë, e cila po financohet prej fondeve të Turqisë, si dhe ndalimi i shkollimit të obligueshëm në shkollat e fillore dhe të mesme të Kosovës për vajzat e reja të moshës nën 16 vjeçe, të cilat bartin shami (veshje identifikuese fetare islame) janë vetëm disa prej problemeve që u përmendën në diskutim. Për adresimin e tyre, ende nuk është shtjerrë debati shoqëror. Madje ka munguar debati konstruktiv ndërmjet institucioneve të shtetit, qytetarëve, e akademisë për këto çështje.

Mungesa e debatit të sinqertë dhe mos-trajtimi i duhur i këtyre sfidave prej Qeverisë së Kosovës, institucioneve zyrtare fetare në Kosovë e akademisë, ka bërë që shumë individ, parti politike e organizata, t’i shfrytëzojnë këto mos-marrëveshje për të rritur pakënaqësitë ndërmjet praktikuesve fetar dhe institucioneve  të shtetit Madje, parti të ndryshme politike, dhe individ kanë arritur të bëhen deputet, ministra, e të bëjnë karrierë politike duke u premtuar praktikuesve fetar se do të ua zgjidhin këto probleme, por të cilat kanë mbetur vetëm premtime.

Shoqëria kosovare duhet të krijojë një ambient të lirë ku mund të diskutohen e debatohen hapur temat e ndryshme, pa paragjykime, dhe duke e pranuar mendimin ndryshe nga secila kategori.

Sallonet e së martës janë një nismë javore e Institutit Demokraci për Zhvillim (D4D). Diskutimi mbledh rreth vetes ekspertë e analistë, politikanë e publicistë për të reflektuar dhe kërkuar konsensus mbi temat e përzgjedhura.

Për shkak të situatës së ballafaqimit me pandeminë, Salloni është transmetuar direkt në facebook të D4D-së.

Ky sallon u realizua me mbështetje nga Konrad-Adenauer-Stiftung (KAS).