Përdorimi i gjuhës ofenduese në media ndaj personave me aftësi të kufizuara – Çfarë masash duhet të ndërmeren?

20.04.2023 Ramadan Berisha

Fjalët kanë rëndësi dhe peshë. Në mënyrë të pamohueshme, gjuha që ne përdorim për t’iu referuar personave me aftësi të kufizuara ka një ndikim, pasi formon perceptimin tonë për botën. Kjo gjuhë ka evoluar me kalimin e kohës dhe termat që janë përdorur zakonisht disa vite më parë nuk janë më të pranueshme. Prandaj është e rëndësishme të rritet ndërgjegjësimi për gjuhën që është e përshtatshme për t’u përdorur kur flitet me ose për personat me aftësi të kufizuara. Gjuha e papërshtatshme mund t’i bëjë njerëzit të ndihen të përjashtuar ose t’i ofendojë ata dhe mund të jetë një pengesë për pjesëmarrjen e plotë dhe kuptimplote. Përdorimi i gjuhës nënçmuese ose të papërshtatshme mund të çojë në diskriminim dhe të cenojë gëzimin e të drejtave të njeriut. Duke adoptuar një gjuhë që kremton diversitetin, ne do të kontribuojmë në forcimin e modelit të të drejtave të njeriut të aftësisë së kufizuar dhe në krijimin e një Kosove më gjithëpërfshirëse.

Nga këndvështimi akademik mungesa e përfaqësimit mediatik të personave me aftësi të kufizuara, qasja kufizuese në media e kombinuar me mungesë të edukimit mbi fushën e aftësisë së kufizuar të gazetarëve dhe mediave në përgjithësi e në veçanti mosnjohja e terminologjisë adekuate në adresimin e aftësisë së kufizuar janë disa nga shkaqet që sjellin deri te përdorimi i një gjuhe jo-adekuate në media ndaj personave me nevoja të veçanta. Jo domosdo kjo gjuhë e cila përdoret ne media ka për qëllim ofendimin apo diskriminimin.

Fjalët si “kategori” e personave me aftësi të Kufizuar apo “të prekurit” (nga sindroma down), “invalidët” janë fjalë të cilat përdoren në mënyrë të shpeshtë nga mediat në Kosovë dhe të cilat konsiderohen si të pa-përshtatshme dhe për këtë përdorimi i drejtë i gjuhës dhe terminologjisë adekuate në media ëshët domosdoshmëri. Tutje edhe vet termi “Personat me nevoja të veçanta” nuk është adekuat dhe si i tillë duhet të zëvendësohet me termin Personat me aftësi të Kufizuar, si term i cili është i pranueshëm dhe ligjor dhe i aprovuar nga vetë përfaqësuesit e personave me aftësi të Kufizuar në Kosovë.

Në të njëjtën kohë, gjuha përfshirëse është një mjet kyç në luftimin e aftësisë dhe manifestimeve të tij të rrënjosura. Ableizmi është një kuptim i gabuar dhe i njëanshëm i aftësisë së kufizuar që çon në supozimin se jeta e personave me aftësi të kufizuara nuk ia vlen të jetohet. Ableizmi mund të marrë shumë forma, duke përfshirë gjuhën e dëmshme.

Për sa i përket gjuhës dhe terminologjisë, Konventa e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara vendos standardin që ne të gjithë duhet të ndjekim. Komentet e përgjithshme të nxjerra nga Komiteti për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara, së bashku me dokumente të tjera autoritative të Kombeve të Bashkuara, ofrojnë gjithashtu udhëzime për të kuptuar më mirë Konventën dhe gjuhën e saj.

Këto udhëzime praktike synojnë të nxisin përdorimin e vazhdueshëm të gjuhës respektuese në Kombet e Bashkuara. Ato përmbajnë parimet e përgjithshme që duhet të zbatohen dhe synohen të jenë praktike dhe të lehta për t’u përdorur. Sidoqoftë finalizimi i një liste që  përbëhet nga termat që kërkojnë sqarime shtesë nga këndvështrimi gjuhësor, në mënyrë që të shmangen gabimet e zakonshme dhe të jenë në përputhje me standardet e terminologjisë së Kombeve të Bashkuara mbetet një punë që të zhvillohet në të ardhmen në Kosovë.

Ky artikull është shkruar me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian në kuadër të projektit “Kundër diskriminimit, gjuhës së urrejtjes dhe dhunës me bazë gjinore”. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e vetme e ATRC, IKS dhe D4D dhe jo domosdoshmërisht pasqyrojnë pikëpamjet e Bashkimit Evropian.