• Shqip

(Pa)Fuqia e grave në tregun e punës

01.12.2022 Sanie Jusufi

“Punët e grave nuk kryhen kurrë”, është një frazë që na ka përcjellë si shoqëri, e që tregon më së miri sa punojnë gratë brenda shtëpisë. Por, këto punë që iu imponuan nga patriarkalizmi, e po përcillen brez pas brezi si “përgjegjësi”, po i mbajnë gratë edhe larg tregut të punës.

Këtë e tregojnë më së miri edhe shifrat për tregun e punës, sipas të cilave, pjesëmarrja e grave është në nivelin më të ulët në rajon.

Sipas Agjencisë së Statistikave nga 622 mijë gra që llogaritet se janë në moshën e punës, vetëm 140 mijë apo 22 për qind e tyre janë pjesë aktive e këtij tregu, ndërsa 17.1 për qind janë të punësuara. Krahasuar me vitin 2019, që ishte viti para pandemisë COVID-19, shkalla e punësimit të grave është rritur vetëm për 3 për qind.

Ndarja e parë e punës mes grave dhe burrave sipas filozofëve është bërë me aftësinë biologjike për të lindur fëmijë.  Kjo ndarje ka bërë që gratë të shfrytëzohen nga çdo sistem, duke përcaktuar peshën e tyre si prodhuese dhe kujdestare të forcës punëtore. Duke mos ua njohur kontributin e tyre që dhënë si punë, burrat janë parë si “fitues të bukës” që krijojnë pasuri, e gratë duke i varfëruar.

Sipas raportit të fundit të organizatës Demokracia për zhvillim (D4D), “(Pa)fuqia ekonomike e grave në tregun  e punës në Ballkanin Perëndimor” praktikat e diskriminimit gjinor mbeten sfidë e fortë sa i përket fuqizimit ekonomik të grave.

Pjesa dërmuese e grave në Kosovë sipas D4D-së, bëjnë punë të papaguara. Gratë konsiderohen si kujdestare të fëmijës, duke iu ngarkuar edhe përgjegjësia e plotë për rritjen e fëmijëve, por edhe kujdesi ndaj të moshuarve. Hulumtimet tregojnë se 53.2 për qind e grave nuk kërkojnë punë për shkak të përgjegjësive familjare në kujdes të fëmijëve dhe të moshuarve.

Të dhënat tregojnë  rreth 12.7 për qind e grave  kryejnë mesatarisht 6-8 orë në ditë punë të shtëpisë siç është pastrimi, ushqimi, ndërsa 33.8 për qind kalojnë nga 2-4 orë, duke mos e llogaritur kujdesen për fëmijët dhe të moshuarit, si pjesë të punëve të shtëpisë.

Sipas një ankete të realizuar nga D4D, vetëm në 28 për qind të rasteve burrat dhe gratë kanë ndarë përgjegjësitë e përkujdesjes.

Niveli i lartë i joaktivitetit, kërkon promovim të mënyrave inkurajuese për t’i motivuar që të jenë më proaktive dhe angazhohen në mënyrë aktive në jetën ekonomike.

Gratë kanë vështirësi edhe në gjetjen e një pune. Gjuha diskriminuese, por edhe përvoja dhe kushtet që vendosen në konkurse shihet si një nga pengesat për punësim të grave.

Diskriminimi vazhdon edhe gjatë procesit të punësimit. Të dhënat tregojnë se, gratë edhe pse kryejnë punën e njëjtë si burrat, paguhen më pak për punën që bëjnë.

Pagat e ulëta, mungesa e qendrave për kujdesin ditor për fëmijë dhe obligimet që gratë i marrin për përkujdesje në familje, janë shkaqet kryesore që pjesëmarrja e grave në tregun e punës është aq e ulët.

Hulumtimet tregojnë se një numër i madh i grave janë pjesë e ekonomisë joformale. Shkaku i kushteve të vështira ekonomike ato pranojnë të punojnë pa kontratë, gjë që bën që ato të mos përfitojnë nga kontributet pensionale, të mos gëzojnë pushimin e lehonisë, e as të mund të ankohen kur iu shkelen të drejtat nga punëdhënësi.

Barra që kanë marrë gratë për kujdesje në shtëpi, ka bërë që ato të kërkojnë punë në profesione që kanë orar më të shkurtër. Shumica e tyre apo rreth 20 për qind, llogaritet se janë të punësuara në sektorin e arsimit. Pas kësaj vije sektori i tregtisë me shumicë dhe pakicsë, e më pas edhe shëndetësia.

Por, edhe pse gratë janë me pjesëmarrje më të lartë në arsim, sipas të dhënave nga prishtinaonline.com, nga 43 shkolla në Komunën e Prishtinës, vetëm rreth 30 për qind e drejtorëve janë gra.

Puna me orar jo të plotë mund të përdorët si urë për të kaluar në punësim me orar të plotë, veçanërisht për gratë që nuk kanë qenë pjesë e tregut të punës më herët.

Për këtë Qeveria do të duhej që të ofronte skema të ndryshme që promovojnë punën me orar jo të plotë, që të përfshihen gratë në mënyrë aktive në fuqinë punëtore.

Tejkalimi i konceptimit të rolit tradicional të grave vetëm si kujdesdhënëse në familje kërkon përpjekje dhe vetëdijesim në shoqëri.

Edhe paga e ulët shihet si pengesë për punësim të grave duke pasur parasysh edhe koston oportune. Mungesa e qendrave të kujdesit gjithëditor, por edhe kostot e papërballueshme sidomos për gratë që kanë më shumë se 1 fëmijë kanë shtyrë që shumë nga to të heqin dorë nga puna dhe të kujdesën për fëmijët.

Gratë janë të diskriminuar edhe sa i përket definimit të pushimit të lehonisë në Ligjin e Punës. Aty parashihet se gratë kanë të drejtë deri në një vit pushim të lehonisë, ndërsa baballarët vetëm 2 ditë, gjë që ka ndikuar që përgjegjësia për rritjen e fëmijëve të bartët vetëm tek nëna.

Pra sistemi aktual e përforcon pabarazinë gjinore, si në familje ashtu edhe në shoqëri, duke rezervuar nënat si kujdesdhënese primare të fëmijëve dhe duke shtuar barrierat për përfshirje të barabartë të tyre në tregun e punës.

Kjo ndikon negativisht edhe në mirëqenien socio-psikologjike të fëmijëve, të cilët kërkojnë pranin e të dy prindërve për zhvillim emocional dhe kognitiv të tyre.

Ndërkohë, për gra që jetojnë në zona rurale, i shtohet edhe vështirësitë e transportit për të ardhur në punë.

Krejt këto diskriminime që iu bëhen grave fillojnë që nga familja. Që nga lindja vajzat ushqehen me “manipulime morale” mbi pushtetin e grave dhe burrave.

Por, kjo qasje nuk mund të ndryshohet nëse nuk ka fuqizim ekonomik të grave. Rritja e pjesëmarrjes së grave në tregun e punës duhet të mendohet përmes politikave qeverisëse.

Hapja e qendrave për qëndrim gjithëditor për fëmijë dhe kostoja e arsyeshme për to do të ndikonte që gratë të kenë më shumë mundësi që të jenë pjesë e tregut të punës. Fuqizimi ekonomik i grave është çelës për rritje ekonomike dhe reduktim të varfërisë.

Ky editorial është shkruar në kuadër të projektit “Shfrytëzimi i Zhvillimit: Rritja e qasjes së grave në punësim” që mbështetet nga Ambasada Norvegjeze në Prishtinë.

Editoriali është publikuar edhe në Koha.net: https://www.koha.net/veshtrime/355211/pa-fuqia-e-grave-ne-tregun-e-punes/