Mungesa e skriningut dhe informatave sfidë për pacientët e prekur nga kanceri i gjirit

28.10.2022 Bujar Vitija

Kanceri i gjirit është sëmundja e dytë malinje që merr më së shumti jetë të grave në botë. Sipas statistikave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë në vitin 2020 janë shënuar 2.26 milionë raste të kësaj sëmundje, ndërsa kanë vdekur 685 mijë njerëz.

Objektivë e OBSH-së është reduktimi në nivel global i mortalitetit nga kanceri i gjirit 2.5 për qind çdo vit, që do të shpëtonte mbi 2.5 milionë jetë nga viti 2020 deri në vitin 2040. Ky objektiv synohet të arrihet përmes ndërgjegjësimit për detektim të hershëm, kohës së diagnostikimit dhe menaxhimit më të mirë të kësaj sëmundje.

Megjithatë për shumë vende në zhvillim sikurse është Kosova, arritja e kësaj objektive është problematike së paku në situatën në të cilën gjendemi. Menaxhimi më i mirë i kësaj sëmundje dhe ulja e mortalitetit varet nga shumë faktorë dhe hallka të sistemit shëndetësor të cilat jo vetëm në këtë rast, por në shumicën e rasteve nuk funksionojnë si duhet.

Në vendin tonë sipas Agjencisë së Statistikave në vitet e fundit ka pasur rritje të numrit të qytetarëve të prekur nga sëmundja e kancerit të gjirit. Në vitin 2019 kanë qenë 505 raste, në vitin 2020 numri ka qenë pak më i vogël me 471 raste por që besohet se kjo ulje ka ndodhur për shkak të mos diagnostikimit gjatë pandemisë, ndërsa në vitin 2021 numri sërish është rritur në 571 raste.

Fatkeqësisht sikurse edhe me sëmundje të tjera në Kosovë nuk kemi të dhëna të sakta për mbijetesën dhe vdekshmërinë. Poashtu nuk e kemi një program kombëtar për skrining që do të mundësonte diagnostikim sistematik dhe të hershëm të kësaj sëmundje për të rritur shanset për mbijetesë. Në Kosovë diagnostikimi varet më së shumti nga fushtatat ndërgjegjësuese por edhe nga vetëdijesimi i grave për këtë sëmundje.

Fatmirësisht në Kosovë ekzistojnë mundësitë për të kryer një ekzaminim imazherik të gjirit në shumicën e institucioneve publike shëndetësore të nivelit dytësor dhe tretësor, por edhe në qendrat e mjekësisë familjare në komuna.

Në Kosovë nuk kemi Sistem Informativ Shëndetësor që do të mundësonte të kemi të dhëna të sakta për numrin e qytetarëve të diagnostikuar me këtë sëmundje dhe për ecurinë e tyre. Poashtu në kuadër të këtij sistemi do të mund të bëhej edhe një program kombëtar i skriningut që do të mundësonte diagnostikimin e hershëm të kancerit të gjirit dhe të rriste shanset për uljen e vdekshmërisë.

Por përveç problemeve të mungesës së informatave, të dhënave dhe skriningut, pacientët në Kosovë përballen edhe me shumë telashe gjatë trajtimit të kësaj sëmundje. Pacientët shpesh herë nuk udhëzohen si duhet dhe nuk e kanë të qartë se cilët do të jenë hapat për trajtimin e tyre dhe kanë mungesë të informatave të sakta për trajtimet, terapitë ose procedurat diagnostike që duhet t’i kryejnë.

Kjo ndodhë për shkak të dy faktorëve, menaxhimit të dobët dhe mungesës së kapaciteteve njerëzore dhe infrastrukturore. Ekziston vetëm një Institut i Onkologjisë në kuadër të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, i cili është qendër referente për të gjithë pacientët që trajtohen me terapi kundër sëmundjeve malinje. Fluksi i madh i pacientëve që kërkojnë ndihmë dhe trajtim në këtë klinikë është i madh, dhe shifrat e pamjaftueshme të stafit mjekësor pamundësojnë menaxhim më të mirë dhe më cilësor për pacientët.

Përveç kësaj, pacientët përballen shumë shpesh me mungesë të barnave dhe terapive për trajtimin e tyre. Keqplanifikimi dhe mungesa e buxhetit të mjaftueshëm për ilaçet kundër sëmundjeve të kancerit, janë dy prej faktorëve që ndikojnë në këtë situatë. Vetëm në vitin 2022 pacientët janë përballë disa herë me javë të tëra me mungesë të barnave, duke shkaktuar edhe shtyrjen e marrjes së terapive të tyre. Në këto rrethana rrezikohet ecuria e trajtimit të pacientëve por dëmtohen edhe financiarisht sepse terapitë e tyre kanë kosto mjaft të lartë.

Kosova pothuajse është vendi i vetëm në rajon që ka vetëm një qendër referente për trajtimin me terapi të pacientëve të prekur nga kanceri. Kësisoj Shërbimi Spitalor Klinik Universitar do të duhej të shtonte kapacitetet edhe në spitalet regjionale për t’ua mundësuar qytetarëve marrjen e terapive në këto institucione.

Derisa të mos kemi një Sistem Informativ Shëndetësor funksional dhe program të skriningut, institucionet por edhe shoqëria do të duhej të angazhoheshin më shumë në informimin dhe ndërgjegjësimin për rrezikun nga kanceri i gjirit sidomos tek gratë, të cilat janë më shumë të cenuara nga kjo sëmundje.

Ministria e Shëndetësisë dhe Shërbimi Spitalor Klinik Universitar duhet të sigurojë pacientët që të mos ketë vonesë në furnizimin me terapi. Kjo siguri nuk do të lehtësonte vetëm trajtimin por edhe shëndetin mendor të pacientëve të cilët edhe ashtu janë të rënduar nga sëmundja.

Ky editorial është shkruar në kuadër të Sallonit të së Martës me temën: “Ku ka stagnuar shoqëria në vetëdijesimin për kancerin e gjirit, dhe sa janë të informuar pas diagnostifikimit”.